Skip to content Skip to footer

Pesë Solat e Reformacionit sot

Bindja e Reformuar

Thelbi i lëvizjes së Reformuar është zbatimi i lutjes së Krishtit te Gjoni 17 për të kërkuar lavdinë e Perëndisë (17:4) në njohjen e Jezu Krishtit me anë të Frymës së Shenjtë (17:3), në të vërtetën e Fjalës së Shenjtë të Perëndisë (17:8, 17), dhe në unitetin e kishave dhe besimtarëve në Krishtin (17:21). Është të kërkosh atë që Kredoja Apostolike e deklaron si ‘një kishë e vetme e shenjtë e krishterë’. Sipas Veprave 2:42, besimtarët e vërtetë kërkojnë të jenë “ngulmues në mësimin e apostujve dhe në bashkësi dhe në thyerjen e bukës dhe në lutjet”.

Lëvizja e Reformuar, si një vepër e Frymës së Shenjtë, kërkon këtë bazë apostolike, këtë doktrinë dhe liturgji ortodokse, këtë unitet katolik (të përgjithshëm), duke qenë protestant kundër gjithçka që i kundërvihet Fjalës së shenjtë të Perëndisë. Reformacioni nuk është një nga degët e Kishës së Krishterë Protestante, si të tjerat që kanë lindur duke theksuar një çështje doktrinore ose praktikë të veçantë; ai është kërkimi i të vërtetës të hershme biblike në bashkësinë e Frymës së Shenjtë për të “ruajtur ndorën e mirë (të vërtetën)”, siç apostulli Pal shkroi në letrën e tij të fundit (2 Tim. 1:14). Kjo porosi është trashëguar nga kisha, brez pas brezi, dhe ne duhet ta përçojmë.

Lëvizja e Reformuar e shek. 16, duke përfshirë paraardhësit e saj (psh. Uiklif [Wycliffe] 1329-1384 në Angli, Hus 1369-1415 në Bohemi, Savonarola 1452-1498 në Itali), dhe pasardhësit e saj në Ortodoksinë Zviceriane-Holandeze, Pietizmin Gjerman, Puritanizmin në Angli dhe Amerikën e Veriut dhe Reformacionin e Dytë Holandez, kërkoi dhe kërkon rizgjimin e së vërtetës biblike si një dhuratë e Perëndisë Trini dhe siç është shprehur në Kishën e Hershme. Uiklif  tha: “Ne i kërkojmë me ngulm Perëndisë në mirësinë e Tij më të madhe që të reformojë kishën tonë, në mënyrë që ajo të rifitojë përsëri përsosmërinë e fillimit të parë.”

Ky rizgjim çon në reformim. Ky reformim ka një aspekt personal dhe kishtar. Aspekti personal zbulohet në ripërtëritjen e zemrës, besimin në Krishtin, duke kërkuar një jetë të shenjtë duke u varur në Frymën e Shenjtë, dhe duke u përpjekur për përlëvdimin e Perëndisë. Aspekti kishtar shfaqet në shqyrtimin dhe konfirmimin e doktrinës, liturgjisë, jetës dhe drejtimit të kishës sipas Shkrimit. Ky rizgjim dhe reformim i tillë i zemrës dhe jetës, familjes dhe kishës, shoqërisë dhe shtetit është një proces frymëror dhe praktik që vazhdon. Do të vazhdojë deri sa Krishti të rikthehet dhe të sjellë plotësinë e mbretërisë së Perëndisë, ku Dhëndri Hyjnor dhe nusja e Tij gëzojnë shoqëri të plotë në Trini. Ky proces i vazhdueshëm shprehet nga slogani ecclesia reformata, semper reformanda (“kisha e reformuar (është) gjithmonë duke u reformuar”).

Reformacioni sot: Pohimi i Pesë Solave

Çfarë kuptimi ka për ne Reformacioni sot? Ne do ta shqyrtojmë atë duke konsideruar pesë parimet e Reformacionit, Pesë Solat. Së bashku ato formojnë një grup parimesh Biblike për të përmbledhur doktrinën e shpëtimit siç mësohet nga Protestantizmi. Çdo sola përfaqëson një besim kyç në besimin e Krishterë Protestant në kundërvënie të mësimit të Kishës Katolike-Romake. Vini re që solat mund të gjeten përgjatë veprave të Reformatorëve, por jo në një mënyrë sistematike. P.sh. Sola Gratia dhe Sola Fide janë kombinuar nga teologu Luteran Melanktoni. Vetëm në vitin 1916 teologu Luteran Engelder renditi treshen Sola Scriptura, Sola Gratia dhe Sola Fide. Më vonë në shek. 20-të, Soli Deo Gloria dhe Solus Christus u shtuan. Të gjitha së bashku ato tani janë karakterizuar si “Parimet e Reformacionit”.

Unë i rendis ato në një mënyrë logjike: Sola Scriptura, Sola Gratia, Solus Christus (Solo Christo), Sola Fide, Soli Deo Gloria. Shkurtimisht: Vetëm në Shkrim, Perëndia Trini zbulon që vetëm me anë të Hirit të Tij, realizuar mbi bazën e shpengimit të kryer vetëm nga Krishti, mëkatarët shpëtohen vetëm me anë të besimit, vetëm për lavdinë e Perëndisë.

Sola Scriptura – Vetëm Shkrimi

Psalmi 119:18: “Hapi sytë e mi dhe unë do të sodis mrekullitë e ligjit tënd.”

Reformacioni ishte kryesisht një rezultat i rizgjimit në rritje që filloi nga studimi i përtërirë i Biblës, dhe predikimi i kësaj rivendosi mesazhin ndaj njerëzve në gjuhën e tyre amtare. Disa pika theksimi:

  • Një bindje e thellë për frymëzimin dhe karakterin autoritar të Fjalës së Perëndisë; çdo fjalë në autografet e 66 librave të Biblës është frymëzuar nga Fryma e Shenjtë e Perëndisë. 2 Timoteu 3:16; 2 Pjetri 1:20-21;
  • Studim Bible për të predikuar mundësisht në gjuhët e saj origjinale dhe në një nivel akademik;
  • Vendi kryesor i predikimit të Fjalës nga predikues të thirrur, të trajnuar dhe të shuguruar;
  • Studim i përditshëm personal i Biblës dhe adhurim familjar rreth Fjalës në shtëpi;
  • Studimi i Biblës shkon bashkë me një bindje të përulur dhe të thellë për nevojën për ndriçim nga Fryma e Shenjtë.

Zbatimi për jetën e kishës shqiptare sot

  1. Për predikuesit dhe misionarët:
  • Fjala në tërësinë e saj, Dhiata e Vjetër dhe Dhiata e Re: a studiojmë dhe predikojmë të gjithë librat e Biblës? A mos vallë i shmangim disa libra, vargje dhe tema të caktuara?
  • Fjala siç është shkruar: përmbajtja në formën e saj gramatikore, duke parë fjalët, figurat, aluzionet etj. të vargut.
  • Fjala në kontekstin e saj historik: çfarë na tregon informacioni në varg?
  • Fjala në unitetin e saj: zbulesa e Perëndisë Trini në veprën shpenguese të Krishtit.
  • Metoda hermeneutike më e përshtatshme, si rrjedhim, është metoda gramatike-historike-shpenguese për të shpjeguar Shkrimin. Ta studiojmë për ta zotëruar atë!
  • Fjala në autoritetin e saj: duke iu përgjigjur konflikteve ose akuzave, mos t’i kënaqim mendimet tona ose ato të personave publik, por: “Kështu thotë ZOTI”.

2. Për të gjithë të krishterët:

Ne duhet të pranojmë autoritetin e Shkrimit, edhe në fushat e vështira

  • doktrinës: paracaktimi nga Perëndia; rënia e thellë e njeriut në mëkat; nevoja për ripërtëritjen; uniteti i Dhiatës së Vjetër dhe të Re dhe, rrjedhimisht, e besëlidhjes së hirit; ardhja e dytë e vetme e Krishtit;
  • etikës: vlera e Dhjetë Urdhërimeve; nevoja për t’u distancuar nga bota; mbajtja e Ditës së Zotit; autoriteti i burrit mbi gruan në familje dhe në kishë; planifikimi familjar (a i shikojmë fëmijët si dhurata të Perëndisë?); refuzimi i praktikës së homoseksualitetit etj.

Luteri tha: “Së pari unë tund gjithë pemën e mollës, që frutat më të pjekur të bien. Pastaj ngjitem në pemë dhe shkund çdo pjesë, dhe pastaj çdo degë, dhe pastaj shikoj nën çdo gjethe.”

Kalvini tha: “Në predikim bëhen mrekulli. Ku predikohet Fjala e Perëndisë, Perëndia është i pranishëm, përmes Jezu Krishtit. Krishti nuk është më në tokë trupërisht, por frymërisht në predikim. Çdo predikim është një shenjë që Ai nuk na ka braktisur. Ai na flet me zë të lartë në çdo predikim, dhe ngre fronin e Tij mbretëror ndër ne. Ai zbret nga qielli në predikim dhe na shfaqet përballë. Ai na shtrin dorën e Tij. Dëgjimi i predikimeve është një shenjë hiri. Në një predikim Krishti na hap gojën e Tij. Gjuha e predikuesit është si gjuha e vetë Krishtit. Në predikim, Perëndia lëviz qiejt dhe tokën, dhe krijon qiejt e rinj dhe tokën e re. Në zërin e predikuesit pikon gjaku i Krishtit të shenjtë. Sepse kështu Perëndia na hap udhën drejt Atij, një rrugë gjaku. Prandaj predikuesit duhen të jenë dërguar nga vetë Zoti. Megjithëkëtë, fuqia e predikimit nuk vjen nga predikuesi i thirrur, por nga Fryma e Shenjtë.”

Sola Gratia – Vetëm prej Hirit

Efesianëve 2:8-10: “Sepse me anë të hirit jeni shpëtuar, nëpërmjet besimit; dhe kjo jo prej jush, por është dhurata e Perëndisë, jo prej veprave që askush të mos mburret. Sepse jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.”

Si njerëz, ne kemi trashëguar (nga paraardhësi ynë Adami) një natyrë që është skllav i mëkatit. Për shkak të natyrës sonë, ne jemi natyrshëm armiq të Perëndisë dhe dashës të së keqes. Ne kemi nevojë të bëhemi të gjallë (të ripërtërihemi) në mënyrë që të kemi besim në Krishtin. Perëndia në mënyrë të hirshme zgjedh të na japë zemra të reja në mënyrë që ne të besojmë në Krishtin dhe të shpëtohemi vetëm nëpërmjet besimit. Hiri është ajo gjendje në Perëndinë, ai synim brenda Tij, që t’ia japë Veten dhe shpëtimin e Tij të humburve. Pra, hiri nuk është një dhuratë që kalon nga Perëndia te njeriu, por një qëndrim mirëdashës brenda Atij. Hiri i Perëndisë jo vetëm punon për të na sjellë në besim, por Perëndia në hirin e Tij edhe na mban në besim, dhe na drejton që të rritemi në besim. Në fund të jetës sonë qëndrojnë vetëm dy gjëra: ne jemi mëkatarë (shënim i Luterit i gjetur pas vdekjes së tij), dhe Perëndia është i hirshëm.

Zbatimi për jetën e kishës shqiptare sot

  • Le të jemi të sinqertë dhe të kujdesshëm për të mos i dhënë asnjë kontribut njeriut në ardhjen te Krishti dhe për të qenë i drejtësuar. Nuk është vullneti, vendimi dhe përkushtimi i njeriut që e shpëton një mëkatar të vdekur, por vetëm fuqia jetë-dhënëse e Frymës së Shenjtë. Ne duhet ta predikojmë këtë me shumë kujdes.
  • Si pjesëmarrës në adhurim, ne duhet të jemi të ndërgjegjshëm për rrezikun që emocionet tona, muzika jonë, entuziazmi ynë nuk e sjellin Perëndinë më afër, as neve më afër Tij. Pa e kuptuar këtë, kjo madje mund të na largojë prej Tij!
  • Ne duhet të zbulojmë mashtrimin e zemrave tona dhe zemrën e dëgjuesve tanë: shpëtimi nuk rrjedh nga dhuntitë tona për të predikuar, ose aftësia për të ungjillëzuar, ose ndihma jonë për të varfrit. Vetëm vepra e Frymës së Shenjtë mund të na ngjallë!
  • Nuk është biblike, madje është e rrezikshme nga ana frymërore, të thuash që njeriu, i aftësuar nga ajo që është referuar si “hiri paraprak” i shpërndarë ndaj çdo dëgjuesi të Ungjillit, bëhet i aftë të kuptojë Ungjillin nga vetë mendja e tij dhe të përgjigjet në besim nga vullneti i tij. Arminianët besojnë që kjo pajtohet me shpëtimin vetëm prej hirit. Kështu, në thelb një element lirie i jepet njeriut të rënë për t’u shpëtuar ose për t’u mos shpëtuar.
  • Për ta shmangur këtë, ne duhet të jemi të kujdesshëm që të mos i thërrasim njerëzit të vendosin për Krishtin në bazë të kuptuarit dhe vullnetit të tyre, dhe madje që të dalin përpara për të dëshmuar këtë zgjedhje. Kjo mund të jetë shumë e gabuar dhe keqdrejtuese. Njeriu ka nevojë të bindet për mëkatet në mënyrë që të vrapojë te Krishti.
  • Lidhja midis paracaktimit të Perëndisë dhe përgjegjësisë njerëzore, nuk mund të zgjidhet nga ana logjike. Dënimi i përjetshëm është rezultat i mosbesimit të njeriut. Shpëtimi i përjetshëm është rezultat i hirit të Perëndisë. Shiko Kanunet e Dortit, kap. 1.
  • Pyetjeve të shumta dhe keqkuptimeve që kanë të bëjnë me “hirin”, marrin përgjigje më të mirë në rrëfimet e Reformuara klasike. Studimi i tyre me një mendje të hapur do të jetë një bekim i madh për kishën shqiptare.

Solus Christus – Vetëm Krishti

Hebrenjve 7:24-27: “Kurse ai, mbasi mbetet përjetë, ka priftëri të patjetërsueshme, prandaj edhe mund të shpëtojë plotësisht ata, që me anë të tij i afrohen Perëndisë, sepse gjithmonë rron që të ndërmjetësojë për ta. Sepse neve një kryeprift i tillë na duhej: i shenjtë, i pafaj, i papërlyer, i ndarë nga mëkatarët dhe i bërë më i lartë se qiejt, që nuk ka nevojë çdo ditë, si ata kryepriftërinjtë, të ofrojë flijime më parë për mëkatet e veta e pastaj për ato të popullit; sepse këtë e bëri njëherë e përgjithmonë, kur ofroi vetveten.”

Ati është Ai që krijoi dhe mban botën. Ai është Ai që e do dhe e zgjodhi kishën e Tij për të qenë nusja e shenjtë e Birit të Tij. Biri është Ai që zbulon Atin, fokusi i Shkrimit, Ndërmjetësi i Besëlidhjes së hirit, Shpëtimtari. Mishërimi, vuajtja, vdekja, varrimi, ngjallja, ngjitja, ulja në të djathtën e Perëndisë, dhe ardhja e dytë e Tij, janë gurët e themelit të veprës së shpëtimit. Fryma e Shenjtë është Ai që zbaton, mëson dhe shenjtëron të vërtetën e Perëndisë në Krishtin.

Perëndia na ka dhënë zbulesën përfundimtare të vetes së Tij duke dërguar Jezu Krishtin, Kolosianëve 1:15. Vetëm nëpërmjet vetë-zbulesës së hirshme të Perëndisë në Jezu Krishtin, vijmë në një njohuri të Perëndisë që është shpëtuese dhe transformuese. Veprat 4:12: asnjë emër tjetër përveç Jezusit. Hebrenjve 7:23: Vetëm vdekja e Tij sakrifikuese mund të shlyejë për mëkatin.

Solus Christus është mësimi që Krishti është Ndërmjetësi i vetëm midis Perëndisë dhe njeriut, dhe se nuk ka shpëtim nga asnjë tjetër, madje as nga Maria, apostujt ose shenjtorët (kundër Luteranizmit klasik). Krishti u jep nga Fryma, atyre që janë të shartuar në Të. Ai i bën të shpenguarit e Tij “krishtër të vegjël” (Luteri), baza për mësimin e “priftërisë së të gjithë besimtarëve”.

Zbatimi për jetën e kishës shqiptare sot

Ne duhet të predikojmë Krishtin dhe të përpiqemi ta zbatojmë ndaj dëgjuesve si vijon:

  • Shenjtëria e Perëndisë nuk mund ta tolerojë mëkatin. Drejtësia e Perëndisë kërkon kënaqje.
  • Shpëtimi nuk na zbatohet me anë të ëndrrave, emocioneve të gëzuara, ose veprave të mira, por nga Fryma e Shenjtë. Ai i drejton mëkatarët te Krishti.
  • Predikuesit duhet të predikojnë Ligjin, paaftësinë tonë të plotë për të dashur Perëndinë dhe të afërmin tonë, korruptimin tonë të plotë të brendshëm, dhe pafalshmërinë tonë. Nevoja për një Shpëtimtar duhet të lindë nga një zbatim personal dhe frymëror i Ligjit (Rom. 8:7; 1 Kor. 2:14). Si trashëgimtarë të Luteranizmit, ne duhet të predikojmë, në këtë renditje, Ligj dhe Ungjill! Si trashëgimtarë të Kalvinizmit, ne duhet të shtojmë Mirënjohje, për të arritur kështu në triadën e Katekizmit të Hajdelbergut: një mëkatar merr të vetmin ngushëllim në jetë dhe në vdekje duke mësuar mjerimin, shpëtimin dhe mirënjohjen e tij.
  • Ne duhet të predikojmë dhe të ofrojmë Krishtin në emrat (Jezus, Krisht, Zot), natyrat (njerëzore, hyjnore), ofiqet (Profet, Prift, Mbret), gjendjet (përulje, lartësim) dhe meritat e Tij.
  • Administrimi i sakramenteve, të cilat shpallin Krishtin në vdekjen dhe ngjalljen e Tij, ka domethënie për të gjithë kishën, si mjetet më të rëndësishme të hirit për të bërë të ditur dhe për të vulosur vdekjen, varrimin dhe ngjalljen e Krishtit. Ato duhet të administrohen gjithmonë në kombinim me predikimin e Fjalës së Perëndisë.
  • Duke qenë se Krishti është Kreu, ne duhet të kemi kujdes që të mos i shohim pastorët me autoritet apostolik.
  • Tre ofiqet e Krishtit duhet të reflektohen në të tre ofiqet në kishë.

Sola Fide – Vetëm nëpërmjet Besimit

Romakëve 1:17: “Sepse, drejtësia e Perëndisë është zbuluar në të prej besimit në besim siç është shkruar: “I drejti do të jetojë prej besimit”.”

Besimi rrjedh nga hiri përmes Krishtit, kështu është renditja. Sola fide, ose “vetëm nëpërmjet besimit”, pohon që veprat e mira nuk janë një mjet ose kërkesë për shpëtim. Sola fide është mësimi që drejtësimi merret vetëm nëpërmjet besimit, pa nevojën e veprave të mira nga ana e mëkatarit. Ne shpëtohemi vetëm nëpërmjet besimit në Jezu Krishtin për shkak të hirit të Perëndisë dhe vetëm prej meritave të Krishtit. Ne nuk shpëtohemi nga meritat tona ose shpallemi të drejtë nga veprat tona të mira. Perëndia jep shpëtimin jo për shkak të gjërave të mira që ne bëjmë. Në teologjinë klasike Protestante, veprat e mira në vetvete nuk nxisin shpëtimin (drejtësimin), por janë dëshmia e domosdoshme e besimit shpëtues (shenjtërimi) (Rom. 3:28; Ef. 2:8-10).

Në të kuptuarin e Sola fide, është e rëndësishme të kuptohet që termi “drejtësim” nuk është një deklaratë e pamëkatshmërisë; Luteri e përdori shprehjen simul justus et peccator (“në të njëjtën kohë i drejtësuar dhe mëkatar”). Katolicizmi-Romak e shikon drejtësimin si një komunikim të drejtësisë së Perëndisë në një qënie njerëzore, duke e pastruar nga mëkati dhe duke e transformuar atë në një bir të Perëndisë; kështu që nuk është thjesht një shpallje, por shpirti bëhet i drejtë. Ata mendojnë se një sasi drejtësie prej pasurisë së veprave të mira të Krishtit, dhe të besimtarëve, mund të transferohet apo t’i kalohet mëkatarit. Në kontrast, pikëpamja Protestante për drejtësimin, është që vepra shpëtuese e Perëndisë zbatohet te mëkatari nëpërmjet mjeteve të hirit. Perëndia na llogarit drejtësinë neve nëpërmjet besimit (Rom. 4:3-5), që kryhet tek ne përmes Fjalës dhe sakramenteve. Pra, njeriu nuk bëhet i drejtë, por llogaritet i drejtë në Krishtin.[1] Krishti qëndron si një prizëm midis Perëndisë së drejtë dhe njeriut të padrejtë, prandaj Perëndia e shikon njeriun besimtar si të drejtë.

Besimi është lidhja qëndrore në ‘zinxhirin e shpëtimit’. Duke e renditur nga ana doktrinale: zgjedhja – thirrja – ripërtëritja – besimi – drejtësimi – birësimi – shenjtërimi – qëndrueshmëria – përlëvdimi.

Zbatimi për jetën e kishës shqiptare sot

  • As veprat fetare dhe as veprat e mira nuk ndërmjetësojnë midis nesh dhe Perëndisë. As ‘ritualet ungjillore’ nuk shpëtojnë: ‘lutja e shpëtimit’, vënia e duarve nga pastori, pagëzim.
  • Në Bibël përdoren shumë fjalë për të përshkruar besimin: ardhje, etje, uria, kërkim, dorëzim, e.tj. Kjo bëhet në mënyrë të sinqertë (pa mbajtur mëkate pa rrëfyer), të varfër, nevojtarë, të përulur edhe me shpresë tek Perëndia (Heb. 11:1, 6). Jezusi tha se “nuk do ta nxjerrë jashtë atë që vjen tek Ai” (Gjo. 6:37).
  • Nëpërmjet besimit, ne përtërihemi në një jetë dhe bindje të re. Kjo duhet të shfaqet në frytin e Frymës, bindje frymërore ndaj urdhërimeve të Perëndisë, dhe një jetë lutjeje.
  • Luteri tha: “Ne shpëtohemi vetëm nëpërmjet besimit, por besimi që shpëton nuk është asnjëherë vetëm.”
  • Nga vepra e Frymës së Shenjtë dhe besimi ynë, ne përvetësojmë të gjitha meritat e Krishtit: faljen e mëkateve, drejtësinë e përjetshme, birësimin si bij të Perëndisë, shenjtërimin, qëndrueshmërinë dhe përlëvdimin.
  • Ndërsa krishterimi mesjetar ishte kryesisht feja e bashkësisë, Reformacioni Protestant (në ndërthurje me epokën e Rilindjes) fokusohej mbi individin. Eshtë njeriu individual i cili bindet për mëkat, që vjen në besim në Krishtin, që mbushet me Frymën e Shenjtë, që e njeh Perëndinë si Atin e tij, dhe i cili lufton për një jetë të shenjtë për lavdinë e Perëndisë Trini. Prapësëprapë kjo nuk mund të arrihet në mënyrë të izoluar, por në bashkësinë e shenjtorëve, kishën. Zbatimi individual i hirit buron nga predikimi në kishë i Fjalës së Perëndisë. Dashuria personale për Perëndinë nuk mund të ndahet nga dashuria praktike kundrejt të afërmit. Besimi është i frytshëm!

[1] Na vjen keq se edhe në versionin e Biblës ‘Së Bashku’ nga Shoqëria Biblike Ndërkonfesionale përdoret shprehja “bëhet i drejtë” për drejtësimin.

Soli Deo Gloria – Vetëm për Lavdinë e Perëndisë

1 Korintasve 10:31: “Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha i bëni për lavdinë e Perëndisë.”

Kjo frazë është tipikisht kalviniste. Nuk duhet të jetë njeriu në qendër, as i krishteri i shpëtuar. Lavdia i përket vetëm Perëndisë. Lavdia e Perëndisë është motivi qëndror për shpëtimin, jo përmirësimi i jetëve të njerëzve – megjithëse kjo është një rrjedhojë e mrekullueshme. Perëndia nuk është një mjet për një qëllim – Ai është mjeti dhe qëllimi.

Qëllimi i gjithë jetës është t’i japësh lavdi vetëm Perëndisë siç edhe Katekizmi i Uestminister thotë, qëllimi kryesor i njeriut është “të përlëvdojë Perëndinë dhe të kënaqet në Të përjetë.”

Zbatimi për jetën e kishës shqiptare sot

  • Qëllimi kryesor i ungjillëzimit nuk është që mëkatarët të shpëtohen, madje aq më pak që ta bëjmë kishën tonë të rritet, por lavdia e Perëndisë në shpëtimin e mëkatarëve dhe rritja e kishës së Tij.
  • Të gjitha jetët tona duhet ta portretizojnë këtë gjë. Ne nuk duhet të konformohemi ndaj kësaj bote: por të transformohemi me anë të ripërtëritjes së mendjes, që të provojmë cili është i miri, i pëlqyeri, dhe i përsosuri, vullneti i Perëndisë (Rom. 12:2).
  • Kjo ndikon shtëpinë tonë, familjen, kishën, sjelljen shoqërore dhe politike. Duke u vetë ereformuar dhe transformuar, ne kërkojmë të reformojmë dhe transformojmë ata rreth nesh, për lavdinë e Perëndisë.
  • Ne duhet të ruajmë veten tonë nga mënyra udhëheqjeje botërore, qoftë duke parashtruar veten tonë dhe veprat tona, ose duke përdorur mënyra politika të botës në kishë.
  • Lavdia e Perëndisë është burimi më i thellë dhe qëllimi më i lartë i misioneve. A qe Reformacioni Protestant misionar? Nëse misioni kuptohet si dërgimi i misonarëve që kalojnë kufij kombëtarë, gjuhësorë dhe kulturorë – nuk u realizua shumë. Por, ky vlerësim varet nga dallimi midis përhapjes së jashtme dhe të brendshme të Ungjillit në shekullin 19të (misioni përkatësisht ungjillëzimi). Eshtë e dyshimtë nëse duhet të përdoret ky standart. Reformacioni ndodhi në një periudhë kur kisha ishte bërë dekadente, politike dhe materialiste. Masat në qytetet në rritje dhe zonat rurale më të largëta ose ishin zhgënjyer ose të paditur për mesazhin që kisha po perhapte, kështu që prioritetet e para në epokën e Reformacionit ishin ndreqja e mesazhit biblik, trajnimi i lajmëtarëve të tij, dhe ri-ungjillëzimin e popullatës evropiane.

Së fundi, “Perëndia që tha: «Le të ndriçojë drita në errësirë», është i njëjti që ndriti në zemrat tona për të na ndriçuar në njohurinë e lavdisë së Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.” (2 Kor. 4:6). Për t’u njohur me mirë me lavdinë e Perëndisë, lexojini librat biblikë si Eksodi, Gjoni, Hebrenjve, dhe Zbulesa. Dhe meditoni për atë ndriçim të përjetshëm dhe të përsosur, kur do të të shohim dhe njohim lavdinë e Perëndisë, në fytyrën e Jezu Krishtit.

Leave a comment


E-mail
Password
Confirm Password