Ky profet qe koleg me profetin Hagai, dhe bashkëpunëtor i tij në çuarjen përpara të ndërtimit të tempullit të dytë (Ezdra v. 1), sepse dy vlejnë më mirë se një i vetëm. Krishti i dërgoi dishepujt e Tij dy e nga dy. Zakaria filloi te predikojë ca kohë pas Hagait. Por ai vazhdoi më gjatë, u ngjit më lart në vegime dhe zbulesa, shkroi më shumë, dhe profetizoi më posaçërisht për Krishtin se ç’kishte bërë Hagai. Kështu të fundit do të jenë të parët. Nganjëherë i fundit në kohë del i pari në dinjitet. Ai fillon me një predikim të qartë praktik, duke shprehur atë që qe suaza e profetizimit të tij, në pesë vargjet e para, por më pas, deri në fund të k. vi., ai tregon vegimet që pa, dhe udhëzimet që mori menjëherë nga qielli për shkak të tyre. Në k. vii., nga një kërkim që u bë nga judenjtë për agjërimin, ai gjen rast t’u tregojë atyre detyrën e kohes së tanishme, dhe t’i inkurajojë që të shpresojnë për favorin e Perëndisë, deri në fund të k. viii., pas të cilit janë dy predikime, të dy janë quajtur orakuj të fjalës së Zotit (një fillon në k. ix., tjetri në k. xii.), të cilët me shumë gjasa u predikuan ca kohë më pas. Suaza e tyre është të qortojë për mëkatin, dhe të kërcënojë për gjykimet e Perëndisë kundër të papenduarve, dhe të inkurajojnë ata që kishin frikë nga Perëndia me siguritë e mëshirës që Perëndia kishte ruajtur për kishën e Tij, dhe sidomos për ardhjen e Mesisë dhe ngritjen e mbretërisë së Tij në botë.
