PROFETËT e Perëndisë qenë dëshmitarët e Tij për kishën e Tij, secili në kohën e vet, për disa qindvjeçarë, dëshmitarë për Të dhe për autoritetin e Tij, dëshmitarë kundër mëkatit dhe mëkatarëve, duke dëshmuar për synimet e vërteta të providencave të Perëndisë në veprimet e Tij me popullin e Vet
PROFETËT e Perëndisë qenë dëshmitarët e Tij për kishën e Tij, secili në kohën e vet, për disa qindvjeçarë, dëshmitarë për Të dhe për autoritetin e Tij, dëshmitarë kundër mëkatit dhe mëkatarëve, duke dëshmuar për synimet e vërteta të providencave të Perëndisë në veprimet e Tij me popullin e Vet dhe synimet e mira të hirit të Tij për kishën e Vet në kohën e Mesisë, për të Cilin dëshmuan të gjithë profetët, sepse të gjithë ata përputheshin në dëshminë e tyre, dhe tani ne kemi për të thirrur edhe vetëm një dëshmitar, dhe kemi mbaruar me dëshminë tonë, dhe megjithëse ai është i fundit, dhe me të profecia mbaroi, gjithsesi Fryma e profecisë shkëlqen po aq qartë, aq fortë, aq ndritshëm në të sa në këdo që e pararendi, dhe dëshmia e tij na nxit t’i kushtojmë vëmendje të njëjtë edhe këtij. Judenjtë thonë: Profecia vazhdoi dyzet vjet në tempullin e dytë, dhe këtë profet ata e quajnë vulën e profecisë, sepse tek ai u ndal dhe mori fund seria dhe rrjedha e profetëve. Perëndia me urtësi urdhëroi që frymëzimi hyjnor të pushonte për disa qindvjeçarë përpara ardhjes së Mesisë, që Ai
profet i madh të mund të shfaqej më i spikatur dhe i dallueshëm dhe të ishte më i mirëpritur. Le të marrim parasysh: I. Profetin si person. Ne kemi vetëm emrin e tij, Malakia, dhe asnjë përshkrim për vendin apo atësinë e tij. Malaki do të thotë engjëlli im, gjë e cila është bërë shkas për një hamendësim që ky profet ishte me të vërtetë një engjëll nga qielli dhe jo një njeri, ashtu sikurse ai te “Gjyqtarët” ii. 1. Por nuk ka bazë të duhur për këtë hamendësim. Profetët qenë lajmëtarë, lajmëtarë të Perëndisë. Ky profet qe i tillë. Emri i tij është krejt i njëjtë me atë që gjejmë në origjinal (k. iii. 1) me lajmëtarin Tij, dhe ndoshta nga ajo fjalë ai mund (megjithëse, ka gjasa që ai kishte emër tjetër) të quhej Malakia. Parafrazimi Kaldez, dhe disa nga judenjtë, sugjerojnë që Malakia qe i njëjti me Ezdran, por edhe kjo është e pabazë. Ezdra qe skrib, po nuk lexojmë asgjëkund që ai të qe profet. Të tjerë, akoma më larg çdo mundësie, mendojnë që ai është Mordekai. Por ne kemi arsye të dalim në përfundimin që emri i tij i vërtetë ishte ai me të cilin është thirrur këtu. Tradita e disa prej të lashtëve thotë që ai ishte nga fisi i Zabulonit, dhe se vdiq i ri. II. Suazën e profecisë. Hagai dhe Zakaria u dërguan të qortonin popullin për vonesën në ndërtimin e tempullit. Malakia u dërgua t’i qortonte ata për lënien pas dore të tij kur ai qe ndërtuar, dhe për përdhosjen e shërbimit të tempullit (sepse nga idhujtaria dhe besëtytnia ata ranë në sjelljen tjetër të skajshme, në mungesën e përshpirtshmërisë dhe të fetarisë), dhe mëkatet kundër të cilëve ai dëshmon janë të njëjtë me ata për të cilët bëhet ankesë në kohën e Nehemias, me të cilin, ka gjasë që ai ishte bashkëkohës. Kështu, tani që profecia do të pushonte, ai flet më qartë për Mesinë, si Një që qe afër, më tepër nga sa kishin folur profetët e tjerë, dhe e mbyll me një urdhër për popullin e Perëndisë që të mbanin mend ligjin e Moisiut, ndërsa prisnin ungjillin e Krishtit.