PËRDERISA ajo që thotë Salomoni, megjithëse në kundërshtim me mendimin e zakonshëm të botës, është pa dyshim e vërtetë, që trishtimi është më i mirë nga gazi, dhe se më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi, sesa në një shtëpi ku ka festë, ne duhet të vijmë te leximi dhe rëndësia e kapitujve të trishtueshëm të këtij libri,
PËRDERISA ajo që thotë Salomoni, megjithëse në kundërshtim me mendimin e zakonshëm të botës, është pa dyshim e vërtetë, që trishtimi është më i mirë nga gazi, dhe se më mirë të shkosh në një shtëpi ku mbahet zi, sesa në një shtëpi ku ka festë, ne duhet të vijmë te leximi dhe rëndësia e kapitujve të trishtueshëm të këtij libri, jo vetëm me dëshirë, por me një pritje për të ndërtuar veten me anë të tyre, dhe që të mund ta bëjmë këtë, ne duhet ta vendosim veten në një trishtim të shenjtë dhe të vendosim të qajmë me profetin që qan. Le të marrim parasysh: I. Titullin e këtij libri. Në hebraisht ai e ka një titull të cilin e ka marrë (ashtu si edhe librat e Moisiut) nga fjala e parë Ekah – Si, por komentuesit judenj e quajnë atë ashtu siç e quajnë edhe grekët, dhe ne që e marrim prej tyre, Kinoth – Vajtimet. Ashtu siç kemi ne óde të shenjta apo këngë gëzimi, po kështu kemi elegji të shenjta dhe këngë vajtimi. Urtësia e Pafund ka ndërmarrë një larmi metodash të tilla për të punuar në ne, dhe për të prekur ndjenjat tona, dhe kështu për të zbutur zemrat tona dhe për t’i bërë ato të reagueshme ndaj të vërtetave hyjnore, ashtu si dylli ndaj vulës. Ne jo vetëm i kemi rënë fyellit për ju, por kemi vajtuar për ju gjithashtu, “Mat.” xi. 17. II. Penëtarin e këtij libri. Ai ishte profeti Jeremia, i cili këtu është poeti Jeremia, dhe ky profet lirik i ka të dyja, prandaj ky libër i është bashkuar me të drejtë librit të profecisë së tij, dhe është si një shtojcë e tij. Neve na janë treguar atje hollësisht parashikimet e shkretimeve të Judës dhe të Jerusalemit, dhe pastaj historia e tyre, për të treguar me sa përpikëri u përmbushën parashikimet, për konfirmimin e besimit tonë. Tani, këtu ne kemi shprehjet e trishtimit të tij për shkakun e tyre, për të treguar se ai ishte shumë i sinqertë në deklaratat që shpesh kishte bërë që nuk e dëshironte ditën e kobshme, por që, përkundrazi, dijenia për afrimin e tyre e mbushte me hidhërim. Kur ai i pa këto fatkeqësi nga larg, ai dëshironte që koka e tij të ishte një burim uji dhe sytë e tij një burim lotësh, dhe, kur fatkeqësitë erdhën, ai e shfaqi që nuk shtirej në atë dëshirë, dhe që nuk ishte aspak jo besnik ndaj vendit të tij, që ishte mëkati për të cilin e akuzonin armiqtë e tij. Megjithëse vendi i tij kishte qenë shumë i panjerëzishëm me të, dhe megjithëse shkatërrimi i tij ishte provë që ai ishte profet i vërtetë dhe një ndëshkim për ta që e përndoqën atë si profet të rremë, gjë e cila mund ta tundonte atë të gëzohej në këtë gjë, gjithsesi ai vajtoi me trishtim për këtë, dhe në këtë gjë tregoi një natyrë më të mirë sesa ajo që tregoi Jona në lidhje me Ninivenë. III.
Shkaku i këtyre vajtimeve ishte shkatërrimi i Judës dhe i Jerusalemit nga ushtria kaldease dhe shpërbërja në këtë mënyrë e shtetit hebre, si e atij civil ashtu dhe e atij kishtar. Disa nga rabinjtë mendojnë se këto janë Vajtimet që Jeremia shkroi me rastin e vdekjes së Josias,
të cilat përmenden te “2 Kro.” xxxv. 25. Por, megjithëse është e vërtetë që ajo hapi derën për të gjitha fatkeqësitë pasuese, gjithsesi këto Vajtime duket se janë shkruar përballë panoramës, dhe jo në parashikimin e atyre fatkeqësive, pra kur ato tashmë kishin ardhur, jo kur ishin ende larg, dhe nuk ka asgjë për Josian në to, dhe për lëvdimin e tij, ashtu siç nuk kishte pyetje, në vajtimet për të. Jo, kjo është një elegji për ceremoninë e varrimit të Jerusalemit. Rabinj të tjerë mendojnë se këto Vajtime përfshiheshin në rrotullën që Baruku shkroi nga goja e Jeremias, dhe të cilën e dogji Jehoiakimi, dhe ata sugjerojnë që në fillim në të ishin vetëm kapitulli i parë, i dytë dhe i katërt, por i treti dhe i pesti ishin fjalët e shumta të ngjashme që u shtuan më pas, por kjo është një fantazi e pabazë. Ajo rrotull është thënë qartë se qe një përsëritje dhe përmbledhje e predikimeve të këtij profeti, “Jer.” xxxvi. 2. IV. Kompozimin e këtij libri. Ai nuk është vetëm poetik, por edhe alfabetik, i gjithi përveç kapitullit të pestë, siç janë disa nga psalmet e Davidit. Çdo varg fillon me një shkronjë të veçantë në alfabetin hebraik, e para alef, e dyta beth, e kështu me rradhë, por kapitulli i tretë është një alfabet i trefishtë, tre vargjet e para fillojnë me alef, tre vargjet e dyta me beth, e kështu me rradhë, që shërbente si ndihmë për kujtesën (duke qenë planifikuar që këto vaje duhet të mësoheshin përmendësh) dhe kjo ishte elegancë në të shkruar që asokohe vlerësohej dhe prandaj tani nuk duhet përçmuar. Ata vërejnë që në kapitujt e dytë, të tretë dhe të katërt, shkronja pe është vënë para ain, e cila në të gjitha alfabetet e hebraishtes vjen pas saj, dhe si arsye për këtë Dr. Llajtfët ofron këtë hamendësim: Që shkronja ajin, e cila është shkronjë shifrore për LXX, duke u zhvendosur në rend, u bë e spikatur, për t’u kujtuar atyre shtatëdhjetë vitet në fund të të cilave Perëndia do ta kthente përsëri robërinë e tyre. V. Dobinë e tij. Padyshim që ai ishte shumë i dobishëm për judenjtë e përshpirtshëm në vuajtjet e tyre, duke i pajisur ata me gjuhë frymërore për të shprehur trishtimin e tyre të natyrshëm, duke ndihmuar të ruante kujtimin e gjallë të Sionit në mes tyre, dhe në fëmijët e tyre të cilët nuk e panë kurrë atë, kur ishin në Babiloni, duke i drejtuar lotët e tyre në hullinë e duhur (sepse atyre u është mësuar këtu të vajtojnë për mëkatin dhe të vajtojnë para Perëndisë), dhe veç kësaj duke inkurajuar shpresat e tyre që Perëndia gjithsesi do të kthehej e do të kishte mëshirë për ta, dhe ai është i dobishëm për ne, për të na prekur me trishtimin sipas Perëndisë për fatkeqësitë e kishës së Perëndisë, siç u ka hije atyre që janë gjymtyrë të gjalla të saj dhe e kanë vendosur ta kenë hisen me të.