Profecitë e Besëlidhjes së Vjetër, ashtu si Letrat e Besëlidhjes së Re, janë vendosur sipas gjatësisë së tyre e jo sipas vjetërsisë, pra në fillim më e gjata, jo më e vjetra. Kishte disa profetë, dhe profetë që i shkruan profecitë e tyre, të cilët ishin bashkëkohës me Isainë, si Mikea, apo pak para tij, si Osea, Joeli, dhe Amosi, apo menjëherë pas tij, siç supozohet të kenë qenë Habakuku dhe Nahumi. Megjithatë, profecia e Jeremisë, që filloi shumë vjet pas mbaroi Isaia, është vendosur pranë profecisë së tij, sepse ka kaq shumë gjëra në të. Atje ku ne hasim më shumë nga fjala e Perëndisë, atje le t’i japim prioritet, e megjithatë ata me më pak dhunti nuk duhen përçmuar e as përjashtuar.
Tani nuk ndodh asgjë për të vëzhguar më tej për profecinë në përgjithësi, por për këtë profetin Jeremia mund të vërejmë: I. Që ai ishte profet që herët. Ai filloi që i ri, dhe prandaj mund të thoshte nga përvoja e vet se gjë e mirë është për njeriun të mbajë zgjedhën në rininë e tij, zgjedhën e shërbimit dhe atë të pikëllimit, “Vaj.” iii. 27. Jeromi vëren që Isaisë, që kishe më shumë vite mbi krye, ia prekën gojën me një urrë zjarri, për të hequr paudhësinë e tij (k. vi. 7), por që kur Perëndia preku gojën e Jeremisë, i cili ishte ende i ri, nuk u tha asgjë për heqjen e paudhësisë së tij (k. i. 9), sepse, për shkak të viteve të rinisë së tij, ai nuk kishte aq shumë mëkat për të cilin të jepte llogari. II. Që ai vazhdoi gjatë si profet, disa llogarisin pesëdhjetë vjet, të tjerët mbi dyzet. Ai filloi në vitin e trembëdhjetë të Josias, kur gjërat shkuan mirë nën atë mbret të mirë, por ai vazhdoi gjatë gjithë mbretërimeve të këqija që pasuan, sepse, kur ne hyjmë në shërbimin e Perëndisë, megjithëse era atëherë mund të jetë e mbarë dhe e favorshme, ne nuk e dimë sa shpejt mund të kthehet kundër dhe të bëhet e stuhishme. III. Që ai ishte një profet qortues, u dërgua në emër të Perëndisë për t’i shpallur Jakobit mëkatet e tij dhe për t’i paralajmëruar ata për gjykimet e Perëndisë që po vinin mbi ta, dhe kritikët vërejnë që për këtë arsye, stili apo mënyra e tij e të folurit është më e qartë, më e ashpër dhe më pak e sjellshme, sesa ajo e Isaisë apo e disa profetëve të tjerë. Ata që dërgohen për të nxjerrë mëkatin në pah, duhet të lënë mënjanë fjalët joshëse të urtësisë së njeriut. Kur merremi me mëkatarët për t’i sjellë në pendim, të qenët i drejtpërdrejtë është qasje më e mirë. IV. Që ai ishte një profet që qante, kështu është quajtur zakonisht, jo vetëm sepse shkroi Vajtimet, por sepse ishte gjatë gjithë kohës një spektator vajtues i mëkateve të popullit të tij dhe i gjykimeve shkretuese që po vinin mbi ta. Ndoshta për këtë arsye, ata që e përfytyronin Shpëtimtarin tonë si një nga profetët mendonin që me shumë gjasë ishte Jeremia (Mat. xvi. 14), sepse Ai ishte njeri i dhembjeve, njohës i vuajtjeve. V. Që ai ishte një profet vuajës. Ai u përndoq nga populli i vet më shumë se cilido profet tjetër, siç do ta shikojmë në historinë e këtij libri, sepse ai jetoi dhe predikoi pikërisht përpara shkatërrimit të judenjve nga kaldeasit, kur natyra e tyre duket se ka qenë e njëjtë siç ishte para shkatërrimit të tyre nga romakët, kur ata vranë Zotin Jezus dhe përndoqën dishepujt e Tij, nuk i pëlqenin Perëndisë, dhe ishin armiq me të gjithë njerëzit, por zemërimi erdhi mbi ta deri në fund, “1 The.” ii. 15, 16.
Raportin e fundit që kemi për të në historinë e tij është që judenjtë që kishin mbetur, e detyruan atë të zbriste me ta në Egjipt, ndonëse sipas traditës aktuale, midis judenjve dhe të krishterëve, ai u martirizua. Hottingeri, nga Elmakini, një historian arab, tregon që, duke vazhduar të profetizonte kundër Egjiptit dhe egjiptianëve dhe kombeve të tjerë, ai u vra me gurë, dhe që shumë kohë më pas, kur Aleksandri hyri në Egjipt, ai mori eshtrat e Jeremisë që prej aty ku qenë varrosur dhe lënë në harresë, dhe i çoi ato në Aleksandri ku edhe i varrosi. Profecitë që kemi në nëntëmbëdhjetë kapitujt e parë të këtij libri, duket se janë temat e predikimeve që ai predikoi si një qortim i përgjithshëm për mëkatin dhe denoncim i gjykimit. Më pas ato janë më të hollësishme dhe specifike të rasteve të ndryshme, dhe të gërshetuara me historinë e kohës së tij, por nuk janë renditur sipas kohës së duhur. Me kërcënimet janë gërshetuar shumë premtime të hirshme të mëshirës për pendestarët, për çlirimin e judenjve nga robëria e tyre, dhe disa që kanë një referencë të qartë për mbretërinë e Mesisë. Midis shkrimeve të Apokrifës një letër që ekziston ende është thënë se është shkruar nga Jeremia për robërit në Babiloni, duke i paralajmëruar ata kundër adhurimit të idhujve, duke ekspozuar kotësinë e idhujve dhe marrëzinë e idhujtarëve. Kjo është te “Baruku”, k. vi. Por është supozuar që ajo nuk është autentike, dhe gjithashtu unë mendoj që ajo nuk
ka aspak jetën dhe frymën e shkrimeve të Jeremisë. Gjithashtu për Jereminë është treguar (2 Mak. ii. 4) që, kur Jerusalemi u shkatërruar nga kaldeasit, ai, i urdhëruar nga Perëndia, mori Arkën dhe altarin e temjanit, dhe, duke i çuar në malin Nebo i vendosi në një shpellë boshe atje hyrjen e të cilës e mbylli, por disa që e kishin ndjekur e që patën menduan se e kishin shënuar vendin, nuk mundën ta gjenin. Ai i fajësoi ata që po i kërkonin ato sende, dhe u tha që vendi duhet të ishte i panjohur deri në kohën që Perëndia do të mblidhte përsëri popullin e Tij. Por unë nuk e di sa e besueshme duhet konsideruar kjo histori, megjithëse këtu është thënë se është gjetur në arkiva. Kur lexojmë profecitë e Jeremisë, nuk ka si të mos shqetësohemi kur shohim që ato ishin marrë kaq pak parasysh nga njerëzit e atij brezi, por le ta përdorim këtë si arsye përse duhet t’i marrim parasysh ne më shumë, sepse ato u shkruan për mësimin tonë gjithashtu, dhe për të na paralajmëruar neve dhe vendin tonë.