NE do të kemi një përshkrim të këtij profeti në vargun e parë të librit të profecisë së tij, dhe prandaj këtu do të vërejmë vetëm këtë, që duke qenë bashkëkohës me profetin Isaia (me ndryshimin e vetëm që ai filloi të profetizojë pak më pas tij), ka një ngjashmëri të afërt midis profecisë së atij profeti dhe kësaj
NE do të kemi një përshkrim të këtij profeti në vargun e parë të librit të profecisë së tij, dhe prandaj këtu do të vërejmë vetëm këtë, që duke qenë bashkëkohës me profetin Isaia (me ndryshimin e vetëm që ai filloi të profetizojë pak më pas tij), ka një ngjashmëri të afërt midis profecisë së atij profeti dhe kësaj, dhe këtu kemi një parashikim të përparimit dhe themelimit të kishës së ungjillit, që e kanë të dy, pothuajse me të njëjtat fjalë, që një fjalë aq e madhe të mund të qëndronte me gojën e dy dëshmitarëve të tillë. Krahasoni “Isa.” ii. 2, 3, me “Mik.” iv. 1, 2. Profecia e Isaisë është thënë se qe për Judën dhe Jerusalemin, por ajo e Mikeas rreth Samarinë dhe Jerusalemin, sepse, megjithëse data e kësaj profecie llogaritet vetëm me anë të mbretërimeve të mbretërve të Judës, gjithsesi ajo i referohet mbretërisë së Izraelit, ku ai parashikon qartë dhe vajton trishtueshëm për shkatërrimin që po afrohet, me anë të robërisë së dhjetë fiseve. Ajo që gjejmë këtu në të shkruar ishte vetëm një konspekt i predikimeve që ai predikoi gjatë mbretërimeve të tre mbretërve. Suaza e të gjithë profecisë është: I. Të bindë mëkatarët për mëkatin e tyre, duke ua rreshtuar ato përpara, duke akuzuar si Izraelin ashtu dhe Judën për idhujtari, lakmi, shtypje, përçmim të fjalës së Perëndisë, dhe sidomos udhëheqësit e tyre, si në kishë ashtu dhe në shtet, për keqpërdorim të pushtetit të tyre, dhe gjithashtu duke u treguar atyre gjykimet e Perëndisë që gati po i zinin për shkak të mëkateve të tyre. II. Të ngushëllojë popullin e Perëndisë me premtime për mëshirë dhe çlirim, veçanërisht duke i siguruar për ardhjen e Mesisë dhe për hirin e ungjillit përmes Tij. Një gjë që është mbresëlënëse për këtë profeci, dhe që konfirmon autoritetin e saj, është se në të gjejmë dy citime që janë bërë publikisht në dy raste shumë solemne, dhe që të dyja i referohen ngjarjeve shumë të mëdha. 1. Njëri është një parashikim i shkatërrimit të Jerusalemit (k. iii. 12), që e gjejmë të cituar në Besëlidhjen e Vjetër, nga pleqtë e vendit (Jer. xxvi. 17, 18), për të justifikuar Jeremian, kur ai parashikoi ardhjen e gjykimeve të Perëndisë mbi Jerusalemin, dhe të ndalnin proçedimet prej oborrit mbretëror kundër tij. “Mikea (thonë ata) paratha që Sioni do të lërohej si një arë, dhe Ezekia nuk e vrau atë. Përse atëherë duhet të ndëshkojmë Jeremian që thotë të njëjtën gjë”? 2. Tjetri është një parashikim i lindjes së Krishtit (k. v. 2) që e gjejmë të cituar në Besëlidhjen e Re, nga kryepriftërinjtë dhe skribët e popullit, në përgjigje të hetimit të Herodit: Ku duhet të lindte Krishti (Mat. ii. 5, 6), sepse ne ende shohim që për Të dëshmojnë të gjithë profetët.