TANI po hyjmë në veprat e një tjetri ungjilltar, të quajtur Luka, emër ky për të cilin disa mendojnë se është shkurtimi i emrit Lucil. Sipas Shën Zheromit, ai lindi në Antioki. Disa mendojnë se ai ishte i vetmi nga të gjithë shkruesit e Shkrimit që nuk vinte nga fara e Izraelit.
TANI po hyjmë në veprat e një tjetri ungjilltar, të quajtur Luka, emër ky për të cilin disa mendojnë se është shkurtimi i emrit Lucil. Sipas Shën Zheromit, ai lindi në Antioki. Disa mendojnë se ai ishte i vetmi nga të gjithë shkruesit e Shkrimit që nuk vinte nga fara e Izraelit. Ai ishte një prozelit hebre dhe sipas hamendësimit të disave, i kthyer në krishterim nëpërmjet shërbesës së Shën Palit në Antioki, dhe pas vajtjes së tij në Maqedoni (Vep. xvi. 10) mbeti bashkudhëtari i tij i përhershëm. Ai u përfshi në studimin dhe ushtrimin e mjekësisë, ndaj Pali e quan Luka, mjeku i dashur (Kol. iv. 14). Disa nga ata që pretendohet të jenë të lashtë, thanë se ai ishte piktor dhe se bëri një pikturë të virgjëreshës Mari. Por, Dr. Uitbi (Whitby) mendon se nuk ka asgjë të sigurt për këtë, e që ka të ngjarë të ketë qenë një nga shtatëdhjetë dishepujt dhe ndjekësit e Krishtit kur Ai ishte këtu në tokë. Nëse është kështu, atëherë ai ishte një izraelit autokton. Nuk e kuptoj se çfarë mund ta kundërshtojë këtë, përveç disa traditave të pasigurta të të lashtëve, mbi të cilat s’mund të bazojmë asgjë dhe të cilave mund t’u kundërvihen dëshmitë e Origjenit dhe Epifaniusit, të cilët thonë se ai ishte njëri nga shtatëdhjetë dishepujt. Mendohet që ai ta ketë shkruar këtë ungjill sipas udhëzimeve të Shën Palit teksa e shoqëronte këtë të fundit në udhëtimet e tij. Gjithashtu, ka nga ata të cilët mendojnë se ai është vëllai për të cilin fliste Pali (2 Kor. viii. 18), lëvdimi i të cilit, për predikimin e ungjillit, u përhap në të gjitha kishat; thua se kuptimi i kësaj ishte që ai u lëvdua në të gjitha kishat sepse shkroi këtë ungjill, dhe që Shën Pali e nënkupton këtë kur ai
ndonjëherë flet për ungjillin e tij, si për shembull tek “Rom.” ii. 16. Por për këto nuk ka asnjë bazë. Dr. Keiv (Cave) vëren që mënyra e tij e të shkruarit është e saktë dhe e përpiktë. Stili i tij ishte i mirësjellshëm dhe elegant, madhështor dhe fisnik, e për më tepër i qartë, i shprehur me një greqishte më të kulluar sesa ajo që shikojmë tek shkruesit e tjerë të historisë së shenjtë. Kështu, ai i rrëfen disa ngjarje më gjerësisht se ungjilltarët e tjerë dhe trajton veçanërisht ato elementë që kanë të bëjnë me shërbesën priftërore të Krishtit. Nuk është e qartë se kur apo rreth cilës kohë u shkrua ky ungjill. Disa mendojnë se u shkrua në Akai, gjatë udhëtimeve të tij me Palin, shtatëmbëdhjetë vjet (disa thonë njëzetedy vjet) pas ngritjes së Krishtit në qiell. Të tjerë thonë se e shkroi në Romë, pak para se të shkruante historinë e Veprave të Apostujve (që është vazhdim i këtij ungjilli) kur ishte atje me Palin, e kur ky i fundit ishte në arrest shtëpie dhe predikonte në shtëpinë e tij të marrë me qira, pjesë me të cilën përfundon “Veprat”. Gjithashtu, më pas, Pali thotë që vetëm Luka ishte me të (2 Tim. iv.
4
11). Ndërsa ishte vullnetarisht i burgosur me Palin, ai pati kohë të lirë të shkruante këto dy histori (sa shumë Shkrime të shkëlqyera kisha ia ka borxh burgjeve). Nëse është kështu, atëherë ungjilli u shkrua njëzet e shtatë vjet pas ngritjes së Krishtit në qiell dhe rreth vitit të katërt të sundimit të Neronit. Zheromi thotë se ai vdiq në moshën tetëdhjetekatër vjeçare dhe nuk u martua kurrë. Disa shkruajnë se ai u martirizua. Por nëse u martirizua, është e paqartë se ku dhe kur. Duhet vërejtur se traditës së krishterë në lidhje me shkrimtarët e Besëlidhjes së Re nuk mund t’i jepet më shumë meritë se sa i jepet traditave hebraike në lidhje me shkrimtarët e Besëlidhjes së Vjetër.
