Shumë histori janë libra të mbretërve dhe të mbretërimit të tyre, ku janë paraqitur përmbledhtas punët e mbretërive të tyre dhe kjo përbën një copëz të nderit që u është bërë zakonisht prijësve të kurorëzuar.
Shumë histori janë libra të mbretërve dhe të mbretërimit të tyre, ku janë paraqitur përmbledhtas punët e mbretërive të tyre dhe kjo përbën një copëz të nderit që u është bërë zakonisht prijësve të kurorëzuar. Shkrimi i Shenjtë është historia e mbretërisë së Perëndisë në mes të njerëzimit nën qeverisjet e saj të shumta, por atje Mbreti është një dhe emri i Tij është një. Tani, historia e veçantë që kemi përpara, na tregon për mbarëvajtjen e mbretërive të Judës dhe Izraelit, duke i kushtuar kryesisht një vëmendje të veçantë mbretërisë së Perëndisë mes tyre, sepse kjo është ende një histori e shenjtë, tepër e dobishme dhe jo më pak argëtuese sesa secila prej historive të tjera të mbretërve të tokës, duke qenë (prej atyre që janë vërtet të sigurta) më përpara në kohë, sepse ndonëse ka pasur mbretër në Edom para se të kishte ndonjë mbret në Izrael, (“Zan.” xxxvi. 31) (të huajt, në këtë pikëpamje patën kryesimin), gjithsesi historia e mbretërve të Izraelit mbetet dhe do vazhdojë të mbetet, në Shkrimin e shenjtë, deri në fundin e botës, ndërsa historia e mbretërve të Edomit ka kohë që është varrosur në harresë. Sepse nderi që vjen prej Perëndisë është i qëndrueshëm, ndërsa nderi i kësaj bote është si një kërpudhë që shfaqet natën dhe zhduket po atë
natë.
Bibla filloi me historitë e patriarkëve dhe profetëve dhe gjykatësve, njerëz, raporti i të cilëve me qiellin ishte më e drejtpërdrejtë, dhe dokumentimi i këtyre na e forcon besimin, ndonëse nuk mund të përshtaten lehtësisht në rastin tonë, sidomos tani që ne nuk presim vegime, si në historinë vijuese të punëve si ato tonat nën drejtimin e provanisë së zakonshme. Edhe këtu gjejmë gjithashtu, ndonëse jo dhe aq shumë natyra dhe personalitete si të Mesisë, gjithsesi pritshmëri të larta për Të, sepse nuk ishin vetëm profetët por edhe mbretërit që dëshironin të përjetonin misteret e mëdha të ungjillit, (“Luka” x. 24)—Të dy librat e Samuelit shërbejnë si hyrje për librat e Mbretërve, meqenëse tregojnë prejardhjen e qeverisjes mbretërore të Saulit dhe familjes mbretërore të Davidit. Këto dy
libra, na japin të dhëna për pasardhësin e Davidit, Salomonin, ndarjen e mbretërisë së tij dhe hipjen në fron të disa mbretërve të Judës dhe Izraelit, me një përmbledhje të historisë së tyre deri në kohën e robërisë. Dhe, ashtu sikundër nga libri i Zanafillës ne mund të përmbledhim parimet e shkëlqyera të ekonomisë, për mirëqeverisjen e familjeve, po kështu edhe nga këto libra ne mund të koleksionojmë parimet e politikës, për drejtimin e punëve publike. Në këto libra një vëmendje e veçantë tregohet për shtëpinë dhe linjën e Davidit, prej të cilit erdhi edhe Krishti. Disa nga bijtë e tij ndoqën hapat e tij, ndërsa të tjerët jo. Këtu mund të jepen përmbledhtas edhe karakteret e mbretërve të Judës—Davidi i devotshmi, Solomoni i mençuri, Roboami i thjeshti, Abijami i
guximshmi, Asa i drejti, Jozafati fetari, Jehorami i keqi, Ashaziahu profani, Joasi felëshuesi, Amatsiahui i nxituari, Uziahu i fuqishmi, Jotham paqedashësi, Ashazi idhujtari, Ezekia reformatori, Manasi i penduari, Amoni i panjohuri, Josia zemërmiri, Jehoahazini, Jehoiakimi, Jehoiakini dhe Sedekiasi, që të gjithë të këqij dhe si të tillë sollën shkatërrimin e shpejtë të tyre dhe mbretërisë së tyre. Numri i të mirëve dhe atyre të këqijve është pothuajse i barabartë, por mbretërimi i të mirëve ishte përgjithësisht i gjatë, ndërsa i atyre të këqijve ishte i shkurtër, një përllogaritje kjo që në tërësi do ta nxirrte gjendjen e Izraelit jo dhe aq te keqe sa dukej në fillim. Në librin e parë ne kemi: I. Vdekjen e Davidit, (k. i. dhe ii). II. Mbretërimin e lavdishëm të Salomonit dhe ndërtimin e tempullit prej tij, (k. iii.-x.), por edhe renë që errësoi diellin e tij, (k. xi). III. Ndarjen e mbretërisë në kohën e Roboamit dhe mbretërimin e tij dhe të Jeroboamit, (k. xii.-xiv). IV. Mbretërimin e Abijahut dhe Asas mbi Judën, Baashas dhe Omrit mbi Izraelin, (k. xv. dhe xvi). V. Mrekullitë e Elias, (k. xvii.-xix). VI. Suksesin e Ashabit ndaj Ben-Hadadit, ligësinë dhe rënien e tij, (k. xx.-xxii). Gjithashtu, në gjithë këtë histori duket se mbretërit, ndonëse për ne janë zotër, për Perëndinë janë thjesht njerëz, të
vdekshëm dhe llogaridhënës.