Skip to content Skip to footer

Ne jemi të sigurt që i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia, dhe i dobishëm për mbështetjen dhe përparimin e interesave të mbretërisë së Tij midis njerëzve, dhe nuk është më pak i tillë meqë në të disa gjëra janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë për vetë humbjen e tyre.

Ne jemi të sigurt që i gjithë Shkrimi është i frymëzuar nga Perëndia, dhe i dobishëm për mbështetjen dhe përparimin e interesave të mbretërisë së Tij midis njerëzve, dhe nuk është më pak i tillë meqë në të disa gjëra janë të vështira për t’u kuptuar, të cilat të paditurit dhe të paqëndrueshmit i shtrembërojnë për vetë humbjen e tyre. Besimi ynë si në origjinën hyjnore ashtu dhe në shtjellimin frymëror të këtij libri është konfirmuar nga dëshmia e lashtë, e vazhdueshme dhe e përputhshme si nga ana e kishës ashtu dhe nga judenjtë, të cilëve iu besuan thëniet e Perëndisë, të cilët nuk dyshuan kurrë për autoritetin e këtij libri, dhe për kishën e krishterë, që i ka zënë atyre vendin siç duhet në atë detyrë dhe nder. I. Në njërën anë duhet rrëfyer që nëse ai që sapo e lexon këtë kantik pyetet si eunuku tek “Veprat”: A e kupton vallë atë që lexon, ai do të ketë më shumë arsye se eunuku për të thënë: E si do të mundja, po s’pata një që të më udhëzojë? Librat historikë dhe profetikë të Shkrimit janë shumë të ngjashëm me njëri-tjetrin, por kjo Këngë e Këngëve e Salomonit është shumë ndryshe nga këngët e atit të tij Davidit. Në të nuk gjendet emri i Perëndisë. Kjo këngë nuk është cituar asnjëherë në Besëlidhjen e Re. Në të nuk gjejmë asnjë shprehje të fesë natyrale
apo të devocionit të përshpirtshëm, asnjë, dhe gjithashtu ai nuk është paraqitur me anë të vegimit apo ndonjë shenje të zbulesës së drejtpërdrejtë. Si çdo pjesë tjetër e Shkrimit duket si e vështirë që ky kantik të jetë erë jete në jetë, madje, për ata që e lexojnë me mendje mishërore dhe ndjenja të zvetënuara, ky është rrezik të bëhet erë vdekjeje në vdekje. Kjo këngë është një lule nga e cila ata nxjerrin helmin dhe prandaj mësuesit judenj të ligjit i këshillonin të rinjtë të mos e lexonin këtë kantik pa mbushur tridhjetë vjeç, se mos duke keqpërdorur atë që gjëja më e pastër dhe e shenjtë (horrendum dictu—e tmerrshme për t’u përmendur!) flakët e lakmisë të mos ndizeshin me zjarr nga qielli, i cili është caktuar vetëm për altarin. Por: II. Në anën tjetër, duhet rrëfyer që të kuptuarit që ne kemi për këtë kantik me ndihmën e shumë udhëheqësve besnikë duket që ka një reze drite qiellore shumë të ndritshme dhe të fuqishme, e përshkruar në mënyrë të admirueshme për të nxitur ndjenja të përshpirtshme dhe të devotshme në shpirtrat e shenjtë, për të shfaqur dëshirat e tyre ndaj Perëndisë, për të rritur kënaqësinë e tyre në Të, dhe për të shfrytëzuar familjaritetin dhe bashkësinë e tyre me Të. Kjo është një alegori, shkronja e të cilit vret ata që mbahen atje dhe nuk shohin më tej, por Fryma e të cilit jep jetë, “2 Kor.” iii. 6; “Gjoni” vi. 63. Kjo është një shëmbëlltyrë, që i bën gjërat hyjnore më të vështira për ata të cilët nuk i duan ato, por më të qarta dhe të këndshme për ata që i duan ato, “Mat.” xiii. 14, 16. Të krishterët me përvojë këtu gjejnë një kopje të përvojës së tyre, dhe për ta kjo është e kuptueshme, ndërkohë që ata që nuk kanë as pjesë as short në këtë fjalë as nuk e kuptojnë dhe as e pëlqejnë atë. Kjo është një këngë, një Epithalami, një kantik martesor, ku, me anë të shprehjeve të dashurisë midis dhëndrit dhe nuses së tij, janë përshkruar dhe ilustruar ndjenjat e ndërsjellëta midis Perëndisë dhe një mbetjeje të spikatur të njerëzimit. Ky është një kantik pastoral. Nusja dhe dhëndri, janë paraqitur si bariu dhe baresha e tij, për një pasqyrim më të gjallë të përulësisë dhe pafajësisë.

Tani: 1. Kjo këngë me shumë lehtësi mund të merrej me kuptim frymëror nga kisha judaike, sepse për përdorim frymëror u kompozua në fillim, dhe në atë kuptim u mor, siç duket nga Parafrazimi Kaldez dhe nga shtjelluesit më të lashtë judenj. Perëndia u fejua me popullin e Izraelit. Ai hyri në besëlidhje me ta, dhe kjo ishte një besëlidhje martesore. Ai kishte dhënë dëshmi të shumta për dashurinë e Tij për ta, dhe kërkonte që ata ta donin Atë me gjithë zemër dhe me gjithë shpirt. Idhujtaria ishte përmendur shpesh si një kurorëshkelje frymërore dhe marrosje pas idhujve, kështu që ky kantik u shkrua për të parandaluar këtë, duke paraqitur vetëkënaqësinë që Perëndia gjente në Izraelin dhe të cilën Izraeli duhet ta gjejë në Perëndinë, dhe duke i inkurajuar ata vazhdonin në besnikëri ndaj Tij, megjithëse nganjëherë mund të dukej sikur Ai ishte tërhequr dhe ishte fshehur prej tyre, dhe të prisnin për shfaqjen e mëtejshme të Tij në Mesinë e premtuar. 2. Ky mund të merret me më shumë lehtësi në kuptimin frymëror nga kisha e krishterë, sepse begenisjet dhe komunikimet e dashurisë hyjnore shfaqen më të pasura dhe më shpenguese nën ungjillin sesa ç’ishin nën ligjin, dhe bashkësia midis qiellit dhe tokës më e afërt. Perëndia nganjëherë i referohej Vetes si Bashkëshorti i kishës judaike (Isa. lxiv. 5, Osea ii. 16, 19), dhe gëzohej me të si nusja e Tij, “Isa.” lxii. 4, 5. Por Krishti është paraqitur më shpesh si Dhëndri i kishës së Tij (Mat. xxv. 1; Rom. vii. 4; 2 Kor. xi. 2; Efe. v. 32), dhe kisha si nusja, si nusja e Qengjit, “Zbu.” xix. 7; xxi. 2, 9. Në përputhje me këtë metaforë, Krishti dhe kisha në përgjithësi, Krishti dhe besimtarë të veçantë, janë duke biseduar gjerë e gjatë me vlerësim dhe pëlqim të lartë dhe të ndërsjellët. Çelësi më i mirë për të zbërthyer këtë libër, është “Psalmi” 45, të cilin e shohim që i kushtohet Krishtit në Besëlidhjen e Re, dhe për këtë arsye ky i duhet kushtuar Atij gjithashtu. Kërkon ca mundim të zbulojmë cili mund të jetë kuptimi i Frymës së Shenjtë në pjesë të ndryshme të këtij libri. Ashtu si shumë nga këngët e Davidit janë në nivelin e të nxënit të njerëzve më të thjeshtë, dhe në to mësohen gjëra të cekëta nga një anë, ndërkohë që nga ana tjetër, ka thellësi në to ku mund të notojë edhe një elefant. Por kur është gjetur kuptimi, ai do të jetë me dobi të admirueshme për të nxitur ndjenjat e përshpirtshme dhe të devotshme në ne; dhe të njëjtat të vërteta të cilat janë deklaruar qartë në pjesë të tjera të Shkrimit, kur nxirren nga ky këtu, vijnë në shpirt me një fuqi edhe më të pëlqyeshme. Kur ne i kushtohemi studimit të këtij libri, ne jo vetëm duhet të heqim sandalet nga këmbët, ashtu si Moisiu dhe Jozueu, dhe madje të harrojmë që kemi trupa, sepse vendi në të cilin ndodhemi është vend i shenjtë, por ashtu si Gjoni, duhet të ngjitemi atje, duhet të hapim krahët, të fluturojmë me madhështi, dhe të ngjitemi lart, derisa me anë të besimit dhe dashurisë së shenjtë të hyjmë në shenjtërore, sepse kjo nuk është veçse shtëpia e Perëndisë, dhe kjo është porta e qiellit.

File Type: www
Categories: Komentari i Biblës 'Matthew Henry'
Author: Matthew Henry