KY libër i Jobit qëndron më vete, nuk është i lidhur me asnjë tjetër, dhe prandaj duhet shqyrtuar më vete. Shumë kopje të Biblës hebraike e vendosin këtë pas librit të Psalmeve, dhe disa pas Fjalëve të Urta, gjë e cila ndoshta u ka dhënë shkak disa njerëzve të ditur të mendojnë se është shkruar nga Isaia ose nga një prej profetëve të vonshëm.
KY libër i Jobit qëndron më vete, nuk është i lidhur me asnjë tjetër, dhe prandaj duhet shqyrtuar më vete. Shumë kopje të Biblës hebraike e vendosin këtë pas librit të Psalmeve, dhe disa pas Fjalëve të Urta, gjë e cila ndoshta u ka dhënë shkak disa njerëzve të ditur të mendojnë se është shkruar nga Isaia ose nga një prej profetëve të vonshëm. Por, duke qenë se subjekti duket të ketë qenë shumë më i lashtë, po kështu ne nuk kemi arsye të mendojmë gjë tjetër përveçse që hartimi i librit ishte po i lashtë, dhe prandaj me të drejtë është vendosur i pari në këtë përmbledhje të moraleve hyjnorë: gjithashtu, duke qenë doktrinar, është me vend që ai të paraprijë dhe të prezantojë librin e Psalmeve, që është devocional, dhe librin e Fjalëve të Urta, që është praktik; sepse si do të adhurojmë apo do t’i bindemi ne një Perëndie të Cilin nuk e njohim? Sa për këtë libër: I. Ne jemi të sigurt që ai është dhënë me anë të frymëzimit të Perëndisë, megjithëse nuk jemi të sigurt kush ishte penëtari i tij. Judenjtë, megjithëse jo miq të Jobit, për shkak se ai ishte i përjashtuar nga qytetaria e Izraelit, gjithsesi, si ruajtës besnikë të thënieve të Perëndisë që iu besuan atyre, e mbajtën gjithmonë këtë libër në kanonin e tyre të shenjtë. Historia për të cilën bën fjalë libri, është përmendur nga një apostull (Jakobi v. 11) dhe një pasazh (k. v. 13) është cituar nga një apostull tjetër, me formën e zakonshme të citimit të Shkrimit: Është shkruar, “1 Kor.” iii. 19. Mendimi i shumë prej të lashtëve është që kjo histori u shkrua nga Moisiu vetë në Midian, dhe iu dha vëllezërve të tij vuajtës në Egjipt, për mbështetjen dhe ngushëllimin e tyre nën barrët e tyre, dhe për inkurajimin e shpresës së tyre që Perëndia në kohën e duhur do t’i çlironte dhe do t’i pasuronte ata, ashtu siç Ai bëri me këtë njeri të duruar që vuajti. Disa supozojmë që në fillim ky libër u shkrua në arabisht nga Salomoni (kështu supozon z. Zhuri [Jurieu]) apo nga ndonjë shkrimtar i frymëzuar, dhe më pas u përkthye në hebraisht, për dobinë e kishës judaike. Për mua ka më shumë gjasa që penëtari i tij ishte Elihu, të paktën i ligjëratave, sepse (k. xxxii. 15, 16) ai përzien fjalët e një historiani me ato të një debatuesi: por ndoshta Moisiut shkroi dy kapitujt e parë dhe atë të fundit, për t’i dhënë qartësi ligjëratës, sepse në to Perëndia është quajtur shpesh Jehova, por as edhe një herë në të gjithë ligjëratën, përveçse në k. xii. 9. Ai emër ishte pak i njohur për patriarkët përpara Moisiut, “Eks.” vi. 3. Nëse atë e shkroi Jobi vetë, disa nga shkrimtarët judenj e pranojnë atë një profet midis paganëve; nëse e shkroi Elihu, ne gjejmë që ai kishte një frymë profecie që e mbushi atë plot fjalë dhe fryma përbrenda e detyronte, k. xxxii. 18.
II. Ne jemi të sigurt që kjo, për thelbin e saj, është një histori e vërtetë dhe jo një mit, megjithëse dialogët janë poetikë. Padyshim që ka ekzistuar një njeri si Jobi. Profeti Ezekiel e përmend atë me Noeun dhe Danielin, “Ezek.” xiv. 14. Padyshim që tregimin që kemi këtu për begatinë dhe përshpirtshmërinë e tij, vuajtjet e tij të çuditshme dhe durimin shembullor, thelbin e diskutimeve të tij me miqtë e tij, dhe ligjëratën e Perëndisë me të në mes të furtunës, me kthimin e tij në fund në një gjendje shumë të begatë, padyshim janë të gjitha të vërteta, megjithëse penëtarit të frymëzuar i është lejuar liria e zakonshme ta shprehë me fjalët e veta çështjen që Jobi dhe miqtë e tij biseduan.