Skip to content Skip to footer

Ky libër quhet Shefer Shoftimi hebre, Libri i Gjyqtarëve, dhe versionet siriake dhe arabike e zgjerojnë dhe e quajnë, Libri i Gjyqtarëve të Bijve të Izraelit. Duke qenë se gjykimet e këtij kombi ishin të posaçme, po ashtu edhe gjyqtarët e tij kishin funksione të cilat ndryshonin shumë nga ato të gjyqtarëve të kombeve të tjera. Septuaginta e quan veç Kritai, Gjyqtarët.

Ky libër quhet Shefer Shoftimi hebre, Libri i Gjyqtarëve, dhe versionet siriake dhe arabike e zgjerojnë dhe e quajnë, Libri i Gjyqtarëve të Bijve të Izraelit. Duke qenë se gjykimet e këtij kombi ishin të posaçme, po ashtu edhe gjyqtarët e tij kishin funksione të cilat ndryshonin shumë nga ato të gjyqtarëve të kombeve të tjera. Septuaginta e quan veç Kritai, Gjyqtarët. Këtu është historia e qytetarisë së Izraelit, gjatë qeverisjes së gjyqtarëve nga Othnieli deri te Eli, aq sa Perëndia e pa me vend që të na komunikonte. Libri përmban historinë (sipas përllogaritjes së Dr. Llajtfët [Lightfoot]) e 299 viteve, duke llogaritur dyzet vjet për Othnielin e Judës, tetëdhjetë vjet për Ehudin e Beniaminit, dyzet vjet për Barakun e Neftalit, dyzet vjet për Gedeonin e Manasit, tre vite për Abimelekun, birin e tij, njëzetetre, për Tolan e Isakarit, njëzetedy për Jairin e Manasit, gjashtë, për Jefteun e Manasit, shtatë për Ibtsanin e Judës, dhjetë për Elonin e Zabulonit, tetë për Abdonin e Efraimit, njëzet për Sansonin e Danit, gjithsej 299. Për sa i përket viteve të robërisë së tyre, thuhet për Eglonin se ai i shtypi ata për tetëmbëdhjetë vjet me radhë dhe Jabini për njëzet vjet dhe po ashtu disa të tjerë, ata duhen llogaritur se përfshihen brenda periudhës së ndonjërit prej gjyqtarëve. Këtu duket se gjyqtarët e kishin prejardhjen nga tetë fise të ndryshme. Ai nder ishte pra i shpërhapur fillimisht derisa së fundi u përqendrua te Juda. Eli dhe Samueli, dy gjyqtarët që nuk përfshihen në këtë libër, vinin nga Levi. Duket se nuk kishte gjyqtarë nga fisi i Rubenit, Simeonit, Gadit ose Asherit.

Në këtë libër kemi historinë e këtyre gjyqtarëve sipas kohës së tyre deri në fund të kapitullit xvi. Më pas, në pesë kapitujt e fundit kemi një tregim të disa ngjarjeve të paharrueshme si për shembull historinë e Ruthit (Ruth i. 1) në kohën kur qeverisnin gjyqtarët, por nuk dihet me siguri se në periudhën e kujt gjyqtari bëhej fjalë. Mirëpo, ata janë vendosur bashkë në fund të librit në mënyrë që filli i historisë së përgjithshme aty të mos ndërpritet. Tani, për sa i përket gjendjes së qytetarisë së Izraelit gjatë kësaj periudhe, I. Ata nuk duken këtu as me karakter aq të shquar as aq të mirë sa mund të ishte pritur për një popull kaq të veçantë, që qeverisej nga ligje të tilla dhe ishte pasuruar nga premtime të tilla. I shohim që zvetënohen keq dhe shtypen rëndë nga fqinjët e tyre, dhe askund në gjithë librin, qoftë në luftë ose në këshill, ata nuk i afrohen hyrjes së lavdishme që kishin bërë në Kanaan. Çfarë mund të themi për këtë gjë? Perëndia do që të na tregojë në këtë mënyrë papërsosjen e vajtueshme të të gjithë njerëzve dhe gjërave nën diell, në mënyrë që ta kërkojmë shenjtërinë dhe lumturinë e plotë në botën tjetër dhe jo në këtë botë. Megjithatë, II. Ne mund të shpresojmë edhe pse historiani në këtë libër flet shumë për provokimet dhe ankesat e tyre, se gjithsesi feja ekzistonte në vend dhe sado që kishte mes tyre nga ata që ishin tërhequr nga idhujtaria, prapëseprapë shërbimi i shenjtërores, sipas ligjit të Moisiut ruhej dhe kishte shumë nga ata që merrnin pjesë në të. Historianët nuk shënojnë rrjedhën e zakonshme të drejtësisë dhe tregtisë të një kombi, duke e marrë këtë si të mirëqenë, por veç luftërat dhe trazirat që ndodhin, mirëpo lexuesi duhet të marrë në konsideratë edhe pjesën tjetër, për të mos parë vetëm anën e errët të ngjarjeve. III. Duket se në ato kohëra, çdo fis vetë-qeverisej në përgjithësi dhe vepronte veçan të tjerëve, pa pasur ndonjë drejtues apo këshill të përbashkët, gjë që i jepte shkas shumë mosmarrëveshjeve mes tyre dhe nuk i lejonte që të kishin peshë ose të bënin ndonjë gjë me peshë. IV. Qeverisja e gjyqtarëve nuk ishte e pandërprerë, por me hope. Kur thuhet se mbas fitores së Ehudit vendi pati paqe tetëdhjetë vjet me radhë dhe mbas fitores së Barakut dyzet vjet, nuk është e sigurt se ata jetuan, aq më pak se qeverisën për aq gjatë, mirëpo ata dhe të tjerët u ngritën dhe u frymëzuan nga Fryma e Perëndisë për t’i kryer popullit një shërbim të veçantë kur paraqitej rasti, për të marrë hakun e Izraelit kundër armiqve të tij dhe për ta pastruar Izraelin nga idhujtaritë, që ishin dy gjërat kryesore përse ata u vendosën si gjyqtarë në Izrael.

Megjithatë, Deborah, si një profeteshë, kërkohej nga i gjithë Izraeli për gjykimin e saj, përpara se të krijohej rasti që ajo të vepronte në luftë, k. iv. 4. V. Gjatë qeverisjes së gjyqtarëve, Perëndia ishte në një mënyrë më të veçantë mbreti i Izraelit. Kështu u thotë atyre Samueli kur ata ishin të vendosur që të linin mënjanë këtë formë qeverisjeje, “1 Sam.” xii. 12”. Perëndia donte të provonte se çfarë do të arrinte ligji dhe parimet i Tij për t’i mbajtur ata në rrugën e duhur, por doli se ndërkohë që në atë kohë nuk kishte asnjë mbret në Izrael; secili bënte atë që i dukej e drejtë në sytë e tij. Prandaj, nga fundi i kësaj periudhe, Ai e bëri qeverisjen e gjyqtarëve më të qëndrueshme dhe më universale se sa ishte në fillim dhe me kalimin e kohës u dha atyre Davidin, një mbret sipas zemrës së Tij dhe vetëm e vetëm atëherë, Izraeli filloi të lulëzojë, gjë që duhet të na bëjë shumë falënderues për magjistratët, si ata të lartët ashtu edhe ata të shkallëve më poshtë, sepse ata janë shërbëtorë të Perëndisë për të mirën tonë. Katër nga gjyqtarët e Izraelit janë kanonizuar (Heb. xi. 32), Gedeoni, Baraku, Sansoni dhe Jefteu. Peshkopi i ditur Patrik (Patrick) mendon se penëtari i këtij libri është Samueli.

File Type: www
Categories: Komentari i Biblës 'Matthew Henry'
Author: Matthew Henry
Downloads: 2
E-mail
Password
Confirm Password