Skip to content Skip to footer

Kjo letër drejtuar Filemonit, vendoset e fundit mes atyre që mbajnë autorësinë e Palit, mbase për shkak se është më e shkurtra dhe për shkak të temës së saj të veçantë dhe të ndryshme nga të gjithë letrat e tjera.

Kjo letër drejtuar Filemonit, vendoset e fundit mes atyre që mbajnë autorësinë e Palit, mbase për shkak se është më e shkurtra dhe për shkak të temës së saj të veçantë dhe të ndryshme nga të gjithë letrat e tjera. Megjithëkëtë, e hartuar nga Fryma e Perëndisë, në llojin e saj, doli të ishte shumë mësimore dhe e dobishme për kishat. Shkaku për shkrimin e saj ishte ky: Filemoni, një njeri i mirënjohur dhe mbase një shërbenjës në kishën e Kolosit (një qytet i Frigjisë), kishte një skllav të quajtur Onesim, i cili, pasi përvetësoi të mirat e të zotit, u arratis prej tij dhe duke u endur andej-këndej përfundoi në Romë, ku Pali ishte atëherë i burgosur për
ungjillin. Në përputhje me planin hyjnor, Onesimi dëgjoi predikimin e tij atje, dhe me anë të bekimit të Perëndisë, u kthye në besim nga Pali, gjë kjo pas së cilës Onesimi i shërbeu për ca kohë apostullit ndërsa ishte i burgosur dhe mund të kishte qenë edhe më i dobishëm për të, por duke kuptuar se ai ishte skllavi i dikujt tjetër, Pali nuk deshi ta mbante pa miratimin e tij, por e dërgon mbrapsht me këtë letër rekomandimi, në të cilën lutet me zell për faljen dhe mirëpritjen e
tij.

Përpara se të hyjmë në shtjellimin, mund të vërehen gjëra të tilla të përgjithshme që vijojnë nga letra dhe çfarë ka lidhje me të; konkretisht: I. Mirësinë dhe mëshirën e Perëndisë për një mëkatar të ngratë endacak, që e sjell atë me anë të provanisë së Tij të hirshme nën mjetet e kthimit në besim dhe i bën ato mjete të efektshme për kthimin e tij në besim. Kështu Ai u kërkua nga ata që nuk pyesnin për Të dhe u gjet nga ata që nuk e kërkonin, “Isa.” lxv. 1. II. Dashurinë e madhe dhe të dhembshur mes një besimtari të vërtetë dhe atij të cilin Perëndia e përdori si mjet i kthimit të tij në besim. Pali e konsideron tani si bir në besim këtë të arratisur të ngratë dhe e quan atë zemrën e tij; dhe Onesimi i shërben me gatishmëri Palit në burg dhe do të vijonte të bënte kështu nëse do t’i lejohej, por, duke qenë skllavi i një tjetri, ai duhet të kthehej dhe t’ia nënshtronte veten të zotit dhe të ishte në dispozicion të tij. III. Frymën e butë dhe të mirë të apostullit të lumur Pal. Me çfarë zelli preokupohet ai për çështjen e këtij skllavi të ngratë! Duke qenë se tani, përmes predikimit të tij, Onesimi u pajtua me Perëndinë, Pali mundohet për pajtim
midis tij dhe të zotit të vet. Ç’letër prekëse shkruan Pali për Onesimin! Si zor të jetë lënë pa përdorur ndonjë argument që mund të hynte në punë në këtë rast, dhe të gjitha ato parashtrohen me një forcë të tillë saqë edhe për nderin më të madh që Pali mund të kërkonte t’i bëhej atij vetë, ai nuk mund të kishte përdorur më shumë argumente bindëse se këto. IV. Provaninë e mrekullueshme të Perëndisë në ruajtjen e një letre të shkurtër si kjo, që mund të mendohet si me pak rëndësi për kishën, duke qenë jo vetëm një letër për një person të veçantë (siç ishin edhe ato për Timoteun, Titin, Gain, dhe për zonjën e zgjedhur), por për një çështje private e personale, konkretisht, pranimin e skllavit të ngratë të arratisur në pëlqimin dhe familjen e zotit të tij të dëmtuar.

File Type: www
Categories: Komentari i Biblës 'Matthew Henry'
Author: Matthew Henry