Skip to content Skip to footer

LIBRI i Ezekielit i la punët e Jerusalemit në një kënd të dhimbshëm, me të gjithë qytetin gërmadhë, por me një perspektivë të gëzueshme për të gjitha përsëri në lavdi. Ky libër i Danielit është vazhdimi i duhur i historisë. Ezekieli na tha çfarë u pa dhe çfarë u parashikua prej tij në vitet e para të robërisë, ndërsa Danieli na thotë çfarë u pa, dhe çfarë u parashikua, në vitet e fundit të robërisë.

LIBRI i Ezekielit i la punët e Jerusalemit në një kënd të dhimbshëm, me të gjithë qytetin gërmadhë, por me një perspektivë të gëzueshme për të gjitha përsëri në lavdi. Ky libër i Danielit është vazhdimi i duhur i historisë. Ezekieli na tha çfarë u pa dhe çfarë u parashikua prej tij në vitet e para të robërisë, ndërsa Danieli na thotë çfarë u pa, dhe çfarë u parashikua, në vitet e fundit të robërisë. Kur Perëndia angazhon duar të ndryshme, gjithsesi bëhet fjalë për të njëjtën punë. Gjithashtu, për robërit e ngratë ishte ngushëllim që ata në fillim kishin një profet midis tyre dhe pastaj një tjetër, për t’u treguar deri kur, dhe një shenjë që Perëndia nuk i kishte hedhur krejtësisht poshtë. Le të kërkojmë të mësojmë: I. Në lidhje me këtë profet. Emri i tij në hebraisht ishte Daniel, që do të thotë gjykimi i Perëndisë. Emri i tij në gjuhën kaldease ishte Beltshatsar. Ai ishte nga fisi i Judës, dhe me sa duket, nga familje mbretërore. Ai që herët ishte i spikatur për urtësi dhe përshpirtshmëri. Ezekieli, bashkëkohësi i tij, por shumë më i moshuar se ai, i referohet atij si një orakull kur qorton mbretin e Tiros për mendjemadhësinë që tregonte: Ti je më i urtë se Danieli, “Eze.” xxviii. 3. Ai gjithashtu atje është nderuar për suksesin në lutje, kur Noeu, Danieli dhe Jobi janë konsideruar tre njerëz të cilëve u shkonte fjala në qiell më shumë se të gjithëve, “Eze.” xiv. 14. Ai filloi që herët të ishte i famshëm, dhe vazhdoi gjatë ashtu. Disa nga rabinjtë judenj ngurojnë ta pranojnë atë si profet të rangut më të lartë, dhe prandaj e radhitin librin e tij midis librave të Hagiografës (Librat e Urtësisë dhe Poezisë në B.V.), jo midis profecive, dhe nuk duan që dishepujt e tyre t’i kushtojnë shumë vëmendje atij. Një preteks që ata ngrenë është se ai nuk jetoi një jetë aq të ulët dhe të ndrydhur si Jeremia dhe disa nga profetët e tjerë, por jetoi si një princ, dhe ishte kryeministër i shtetit. Ndonëse ne shohim që ai është përndjekur ashtu si profetët e tjerë (k. vi.), dhe e ndrydhi veten ashtu si profetët e tjerë, kur nuk hëngri ushqime të zgjedhura (k. x. 3), ra i sëmurë kur ishte nën fuqinë e Frymës së profecisë, k. viii. 27. Një arsye tjetër që ata ngrenë është se ai e shkroi këtë libër në një vend pagan, dhe i pati vegimet atje, dhe jo në vendin e Izraelit, por, për të njëjtën arsye, edhe Ezekieli duhet fshirë fare nga lista emërore e profetëve. Megjithatë, arsyeja e vërtetë është se ai flet aq qartë për kohën e ardhjes së Mesisë saqë judenjtë nuk mund të mos binden për këtë dhe prandaj nuk marrin mundimin t’i vënë veshin. Gjithsesi, Jozefusi e quan atë një nga profetët më të mëdhenj, madje, engjëlli Gabriel e quan njeri që e duan shumë. Ai jetoi gjatë një jetë aktive në oborret mbretërorë dhe në këshillet e disa prej monarkëve më të mëdhenj që kishte pasur bota ndonjëherë, Nebukadnetsari, Kiri, Dari, sepse gabojmë nëse e kufizojmë privilegjin e një ndërveprimi me qiellin tek vetëm njerëzit mendimtarë, ose tek ata që kalojnë kohën duke u zhytur në përsiatje.

Jo, kush ishte i njohur më nga afër me mendjen e Perëndisë sesa Danieli, një oborrtar, një qeveritar, dhe një njeri i biznesit? Fryma, ashtu si era, fryn atje ku dëshiron. Gjithashtu, nëse ata që kanë shumë për të bërë në botë e parashtrojnë këtë si një justifikim për ndërveprimin e tyre të rrallë dhe shpërfillës me Perëndinë, Danieli do t’i dënojë ata. Disa kanë menduar se ai u kthye në Jerusalem, dhe se qe një nga mësuesit e sinagogës greke, por në Shkrim nuk shfaqet asgjë për këtë, prandaj është dalë përgjithësisht në përfundimin që ai vdiq në Suzë të Persisë, ku jetoi deri në moshë shumë të thyer. II. Në lidhje me këtë libër. Gjashtë kapitujt e parë të tij janë historikë, dhe janë të qartë dhe jo të vështirë; gjashtë kapitujt e fundit janë profetikë, dhe në to ka shumë gjëra të errëta, dhe të vështira për t’u kuptuar, të cilat gjithsesi do të ishin më të kuptueshme nëse do të kishim një histori më të plotë të kombeve, dhe sidomos të kombit jude, nga koha e Danielit deri në ardhjen e Mesisë. Shpëtimtari ynë nënkupton vështirësinë e gjetjes së kuptimit të profecive të Danielit kur, duke folur për to thotë: Kush lexon le të kuptojë, “Mat.” xxiv. 15. Kapitulli i parë, dhe tre vargjet e para të kapitullit të dytë, janë në hebraisht. Z. Brotën [Broughton] vëren se, ashtu sikurse kaldeasit ishin të mirë me Danielin, dhe i dhanë gota uji të ftohtë kur ai kërkonte, në vend të verës së mbretit, Perëndia nuk donte që ata të humbitnin shpërblimin e tyre, por e bëri gjuhën që i mësuan atij të nderohej në Shkrimet e Tij në të gjithë botën, deri sot e kësaj dite. Danieli, sipas llogaritjes së tij, e vazhdon historinë e shenjtë nga befasimi i parë i Jerusalemit nga Babeli kaldeas, kur ai vetë u çua rob, deri në shkatërrimin e tij nga Roma, nga Babeli mistik, sepse aq shumë përpara në kohë shohin parashikimet e tij, k. ix. 27. Fabulat e “Suzanës”, dhe “Beli dhe Dragoi”, ku tek të dyja Danieli është bërë të jetë pjesë, janë histori apokrifike, të cilave nuk kemi arsye t’u atribuojmë ndonjë besueshmëri, duke qenë se nuk janë shkruar kurrë në hebraisht apo në gjuhën kaldease, por vetëm në greqisht, dhe gjithashtu nuk janë pranuar kurrë nga kisha Judaike. Ka ca si nga historitë ashtu edhe nga profecitë e këtij libri, që tregojnë se datojnë në fundin e monarkisë kaldease, dhe të tjera histori e profeci që e tregojnë datën në fillim të monarkisë së Persisë. Megjithatë, si ëndrra e Nebukadnetsarit, që interpretoi Danieli, ashtu edhe vegimet e këtij të fundit, na çojnë në monarkitë greke dhe romake, dhe veçanërisht në telashet e judenjve nën Antiokun, që do të ishte shumë e dobishme për ta që të përgatiteshin për to, ashtu caktimi i kohës për ardhjen e Mesisë ishte i dobishëm për të gjithë ata që prisnin për ngushëllimin e Izraelit, dhe është për ne, për konfirmimin e besimit tonë: Që Ai është Ai që duhet të vijë, dhe që nuk duhet të presim një tjetër.

File Type: www
Categories: Komentari i Biblës 'Matthew Henry'
Author: Matthew Henry