Në kanonin e shenjtë të Shkrimit, kemi të përfshira dy letrat e shkruara nga Pjetri, i cili ishte një nga apostujt më të shquar të Jezus Krishtit, karakteri i të cilit shkëlqen ndritshëm ashtu si është përshkruar në katër Ungjijtë dhe në “Veprat e Apostujve”, por, i portretizuar nga papistët dhe shkrimtarët që merren me mite, ai paraqitet si një person me krenari dhe ambicie ekstravagante.
Në kanonin e shenjtë të Shkrimit, kemi të përfshira dy letrat e shkruara nga Pjetri, i cili ishte një nga apostujt më të shquar të Jezus Krishtit, karakteri i të cilit shkëlqen ndritshëm ashtu si është përshkruar në katër Ungjijtë dhe në “Veprat e Apostujve”, por, i portretizuar nga papistët dhe shkrimtarët që merren me mite, ai paraqitet si një person me krenari dhe ambicie ekstravagante. Nga Shkrimi është e sigurt që Simon Pjetri ishte një nga ata të parët që Zoti ynë e thirri të bëhej një nga dishepujt dhe ndjekësit e Tij, si dhe që ai ishte një person me dhunti të shkëlqyera, si natyrore ashtu edhe nga hiri i Perëndisë, me aftësi të mira dhe orator i shkathët, i shpejtë për të kuptuar dhe i guximshëm për të kryer çfarëdo gjëje që ai e dinte se ishte detyra e tij. Kur Shpëtimtari ynë i thirri apostujt dhe u dha mandatin e tyre, Ai e caktoi atë të parin në listë; dhe nga sjellja e Tij ndaj Pjetrit, Ai duket se e konsideronte atë si një të preferuar të veçantë mes të dymbëdhjetëve. Janë dokumentuar shumë raste të dashurisë së Zotit ndaj tij, si gjatë jetës ashtu edhe pas ringjalljes së Tij. Por ka shumë gjëra që thuhen me bindje të plotë për këtë njeri të shenjtë, të cilat në fakt janë krejt të pavërteta: si p.sh.: Që ai kishte supremaci dhe superioritet mbi pjesën tjetër të apostujve, që ai ishte më shumë se i barabartë me ta, që ai ishte princi, monarku dhe sovrani i tyre, dhe që ai ushtroi një autoritet mbi të gjithë kolegjiumin e apostujve. Për më tepër: Që ai ishte bariu i vetëm dhe universal mbi të gjithë botën e krishterë, i vetmi vikar i Krishtit mbi tokë, që ai ishte për më shumë se njëzet vjet peshkop i Romës – që papët e Romës
zunë njëri pas tjetrit postin e Shën. Pjetrit, dhe morën prej tij një epërsi dhe autoritet universal mbi gjithë kishat dhe të krishterët në tokë – dhe që e gjithë kjo ishte urdhëruar dhe caktuar nga Zoti ynë. Ndonëse Krishti nuk i dha kurrë atij ndonjë epërsi të këtij lloji, por e pengoi konkretisht këtë, dhe dha rregulla për të kundërtën. Apostujt e tjerë nuk e miratuan kurrë këtë pretendim.
Pali e deklaron për veten se nuk kishte mbetur aspak prapa nga këta “apostuj më të lartë”, “2 Kor.” xi. 5 dhe xii. 11. Këtu nuk bëhet ndonjë përjashtim për ofiqin superior të Pjetrit, të cilin Pali mori lirinë ta qortonte, dhe e kundërshtoi në sy, “Gal.” ii. 11. Gjithashtu, vetë Pjetri nuk pretendoi kurrë një gjë të tillë, por me thjeshtësi e quajti veten apostull i Jezus Krishtit; dhe, kur u shkruan pleqve të kishës, ai me përulësi e vë veten në të njëjtin rang me ta: U bëj thirrje pleqve midis jush, unë bashkëplak, k. v. 1. Konsultoni Dr. Berrounin (Barrow) mbi temën e epërsisë së papës. Qëllimi i kësaj letre të parë është: I. T’u shpjegojë më plotësisht doktrinat e krishterimit atyre judenjve të sapo kthyer në besim. II. T’i drejtojë dhe bindë ata për të jetuar një jetë të shenjtë, në kryerjen me besnikëri të të gjithë detyrave personale dhe ndaj të afërmve, përmes të të cilave, ata do të siguronin paqen e tyre dhe do të hidhnin poshtë efektshmërisht përgojimet dhe qortimet e armiqve të tyre. III. T’i përgatitë ata për vuajtje. Ky duket se është synimi i tij kryesor, sepse në çdo kapitull ai ka diçka që nënkupton këtë, dhe, me një mori të madhe argumentesh, i inkurajon ata drejt durimit dhe qëndresës në besim, që përndjekjet dhe fatkeqësitë e trishtueshme që po vinin mbi ta, të mos triumfonin mbi ta duke i shtyrë të mohonin Krishtin dhe ungjillin. Është mbresëlënëse që në asnjë nga këto letra nuk mund të gjendet asnjë fjalë që të justifikojë frymën dhe krenarinë e një pape.
