Skip to content Skip to footer

KORINTI ishte një nga qytetet kryesore të Greqisë, në atë provincë të saj që quhej Akai. Gjendej në istmin (ose rripin e dheut) që bashkonte Peloponezin me pjesën tjetër të Greqisë, në krahun jugor dhe kishte dy porte pranë njëri tjetrit, njërin në fund të gjirit të Korintit, i quajtur Leçeum, jo shumë larg prej qytetit, për nga ku banorët bënin tregti me Italinë dhe perëndimin, tjetrin në fund të Sinus Saronikusit, i quajtur Kençrea, në një distancë më të largët, prej nga ku ata bënin tregti me Azinë.

KORINTI ishte një nga qytetet kryesore të Greqisë, në atë provincë të saj që quhej Akai. Gjendej në istmin (ose rripin e dheut) që bashkonte Peloponezin me pjesën tjetër të Greqisë, në krahun jugor dhe kishte dy porte pranë njëri tjetrit, njërin në fund të gjirit të Korintit, i quajtur Leçeum, jo shumë larg prej qytetit, për nga ku banorët bënin tregti me Italinë dhe perëndimin, tjetrin në fund të Sinus Saronikusit, i quajtur Kençrea, në një distancë më të largët, prej nga ku ata bënin tregti me Azinë. Me këtë pozitë gjeografike, nuk është çudi që Korinti të ishte një vend me shumë tregti dhe pasuri dhe ashtu si kamja ka prirjen të prodhojë luks të çdo
lloji, nuk është për t’u çuditur nëse një vend kaq i famshëm për pasuri dhe arte është po aq namkeq për vese. Ai shquhej veçanërisht për kurvërimin, aq shumë sa kur flitej për një grua korintase kjo përdorej si shprehje për një lavire, dhe korinthiazein, korinthiasesthai—të sillesh si korintase, do të thoshte të silleshe si kurvë, ose t’i jepeshe prirjeve lapërdhare. Gjithsesi, në këtë qytet lapërdhar, Pali, me anë të bekimit që Perëndia i dha mundit të tij, mbjell dhe ngre një kishë të krishterë, kryesisht mes johebrenjve, ashtu siç duket se ka shumë gjasa të ketë ndodhur po të ndjekim atë që tregohet në “Vep.” xviii. 1-18, e krahasuar me disa pasazhe në këtë letër, veçanërisht xii. 2, ku apostulli u thotë atyre: Ju e dini se, kur ishit paganë, tërhiqeshit pas idhujve të pagojë, sido të prireshit, edhe pse nuk është e pamundur që shumë judenj të kthyer në besim mund të gjendeshin gjithashtu mes tyre, sepse na thuhet se Krispi, kreu i sinagogës, besoi te Zoti me gjithë shtëpinë e tij, “Vep.” xviii. 8. Ai qëndroi në këtë qytet për gati dy vite ashtu siç duket qartë po të krahasosh “Vep.” xviii. 11 dhe 18, dhe punoi fort e me sukses të madh, i inkurajuar prej një vegimi hyjnor që e siguroi se Perëndia kishte një popull të madh në këtë qytet, “Vep.” xviii. 9, 10. Pali nuk e kishte për zakon të qëndronte për një kohë të gjatë në një vend ku shërbesa e tij nuk pranohej dhe nuk kishte sukses. Pak kohë mbasi ai u largua prej tyre, ai u shkroi një letër pastorale, për të ujitur çfarë kishte mbjellë dhe të korrigjonte disa parregullsi të rënda që ishin përhapur ndër ta gjatë mungesës së tij, pjesërisht me anë të ndikimit që disa mësues të rremë ose mësues të rregullt kishin fituar mes tyre, dhe pjesërisht prej majasë së parimeve dhe zakoneve të tyre të vjetra që nuk ishin pastruar krejtësisht prej parimeve të krishtera që ata kishin pranuar. Është tepër e dukshme se sa shumë pasuria e tyre kishte ndihmuar në zvetënimin e mënyrës së tyre të jetesës, duke parë se apostulli i qorton ashpër për disa faje. Krenaria, kurnacëria, luksi, epshi (pjellat e natyrshme të një

4
mendjeje mishore dhe të zvetënuar) janë të gjitha të ushqyera dhe të nxitura prej kamjes së jashtme. Apostulli, për gjithë këto i akuzon këtu ose të gjithë këta njerëz ose disa persona të veçantë mes tyre. Krenaria e tyre shihej hapur në grupimet dhe fraksionet e tyre, si dhe në parregullsitë me nam të keq që ata kryenin në ushtrimin e dhuratave të tyre frymërore. Ky ves nuk ushqehej vetëm prej pasurisë së tyre por edhe prej njohjes së thellë që ata kishin të mësimeve dhe filozofisë greke. Disa nga të vjetrit na thonë se qyteti gëlonte me oratorë dhe filozofë. Këta ishin njerëz natyrshëm të kotë, plot me mendjemadhësi dhe të prirur për të
përçmuar doktrinën e shkoqur të ungjillit, sepse ajo nuk ushqente kuriozitetin e një temperamenti të prirur për kureshti dhe polemika, e as nuk i pëlqente veshit të njerëzve që dëshironin fjalime të mprehta dhe me një rrjedhshmëri fjalësh të bukura. Kurnacëria e tyre ishte e dukshme në paditë e tyre dhe mosmarrëveshjet mbi meum—e imja, dhe tuum—e jotja, para gjykatësve paganë. Luksi i tyre shfaqej në më shumë se një tregues: në veshjen e tyre, duke qenë të pangopur edhe në darkën e Zotit, kur të pasurit (të cilët ishin tepër fajtor për këtë gjë, ishin fajtor gjithashtu për një përçmim shumë krenar dhe kriminal të vëllezërve të tyre të varfër. Epshi i tyre shpërtheu në një situatë tepër flagrante dhe të turpshme, aq sa nuk ishte dëgjuar më parë mes johebrenjve, e as nuk mund të flitej për të pa neveri—që një burrë të kishte gruan e babait të tij, qoftë si grua ose për t’u kurvëruar me të. Kjo gjë në të vërtetë duket se është faji vetëm i një individi por e gjithë kisha ishte për t’u qortuar që nuk e kishin trajtuar me neverinë më të madhe këtë gjë, e që mund të duronin mes tyre një person të tillë me një moral kaq të korruptuar dhe me një sjellje kaq të ligë. Mirëpo pjesëmarrja e tyre në mëkatin e tij, ishte prapëseprapë më e madhe, nëse, ashtu si disa prej të vjetërve na thonë, ata krekoseshin për shkak të diturisë dhe gojëtarisë së madhe të këtij njeriu incesti. Po ashtu, duket qartë nga fragmente të tjera të kësaj letre se ata nuk ishin aq krejtësisht të çliruar prej prirjeve të tyre të mëparshme lapërdhare, aq sa për të mos pasur nevojë për paralajmërime shumë të rrepta dhe argumente të forta kundër kurvërimit: shikoni v. 9-20. Krenaria e arsimimit të tyre, i kishte shpënë shumë prej tyre aq larg sa të mos besonin më ose të kundërshtonin doktrinën e ringjalljes. Ka gjasa që ata e trajtonin këtë çështje si problem, ashtu siç bënin me shumë çështje në filozofi dhe provonin aftësitë e tyre duke argumentuar pro dhe kundër. Është e dukshme kështu siç ishin gjërat, se në këtë kishë, kishte shumë gjëra që meritonin të dënoheshin dhe nevojë të korrigjoheshin. Apostulli, nën drejtimin dhe ndikimin e Frymës së
Shenjtë, i përveshet punës për t’i bërë të dyja këto me shumë urtësi dhe besnikëri dhe me një përzierje të duhur butësie dhe autoriteti, ashtu siç i shkon për shtat dikujt që është në një pozicion kaq të ngritur dhe të rëndësishëm në kishë. Mbas një hyrjeje të shkurtër në fillim të kësaj letre pastorale, ai së pari i qorton ata për grindjet dhe fraksionet e tyre, cek origjinën dhe burimin e tyre, u tregon atyre se sa shumë krenaria, kotësia dhe të dhënit mbas shkencës, të mësuarit dhe gojëtarisë (të gjitha këto të lëvduara prej mësuesve të rremë), kishin kontribuar në këtë përçarje skandaloze. Për këtë arsye, ai këshillon përulësi dhe nënshtrim ndaj mësimit
hyjnor, mësimit të Perëndisë me anë të Frymës së Tij, si me anë të zbulesës së jashtme ashtu 5 edhe me anë të ndriçimit të brendshëm, si një kurë për të ligat që gëlonin mes tyre. Ai u tregon atyre në shumëçka, kotësinë e shkencës që ata pretendonin dhe gojëtarisë së tyre. Këtë gjë ai e bën përgjatë katër kapitujve të parë. Në të pestin merret me rastin e personit të përfshirë në incest, dhe urdhëron që të nxirret nga mesi i tyre. Po ashtu nuk është e pamundur ajo që të vjetrit thonë se ky njeri i përfshirë në incest, ishte person që vlerësohej shumë dhe kreu i të paktën i një fraksioni mes tyre. Duket se për këtë arsye apostulli i akuzon ata se janë krekosur, v. 2. Në kapitullin e gjashtë, ai i qorton për paditë e tyre para gjykatësve paganë, ndërkohë që mosmarrëveshjet e tyre mbi pronësinë, duhet të zgjidheshin me mirëkuptim mes tyre dhe në mbylljen e kapitullit, ai i paralajmëron kundër mëkatit të kurvërimit dhe e thekson paralajmërimin e tij me një shumëllojshmëri argumentesh. Në kapitullin e shtatë ai jep këshilla mbi një çështje ndërgjegjeje, të cilën disa nga ajo kishë ia kishin parashtruar me anë të një letre. Çështja në fjalë
kishte të bënte me martesën dhe ai u tregon atyre se martesa është caktuar nga Perëndia si një kurë kundër kurvërimit, se lidhjet e saj nuk zgjidheshin edhe pse një bashkëshort ose bashkëshorte vazhdonte të mbetej jobesimtar ndërkohë që tjetri bëhej i krishterë dhe, me pak fjalë, se krishterimi nuk sillte ndryshime në gjendjen civile dhe lidhjet mes njerëzve. Ai jep gjithashtu disa udhëzime mbi virgjëreshat, ka gjasa duke iu përgjigjur kështu, pyetjeve të korintasve. Në kapitullin e tetë, ai u jep udhëzime lidhur me ushqimet që i ofroheshin idhujve dhe i paralajmëron për të mos abuzuar me lirinë e tyre të krishterë. Prej kësaj, ai gjithashtu gjen rastin, në kapitullin e nëntë për t’u ndalur pak tek sjellja e vet në këtë liri. Sepse, edhe pse ai mund të kishte këmbëngulur për mbulimin e shpenzimeve nga kishat ku shërbente, ai hoqi dorë nga kjo kërkesë, në mënyrë që duke shpallur ungjillin ta paraqiste falas ungjillin dhe në gjëra të tjera, respektoi dhe u përshtat me temperamentin dhe rrethanat e atyre mes të cilëve punonte, për të mirën e tyre. Në kapitullin e dhjetë, ai i nxit të mos ndjekin shembullin e judenjve, kundër
bashkësisë me idhujtarët, duke ngrënë prej flijimeve të tyre, ashtu si edhe ata nuk mund të uleshin për të ngrënë si në tryezën e Zotit ashtu dhe në atë të djallit, edhe pse ata nuk ishin të detyruar të pyesnin për mishin e shitur te kasapi ose për ushqimet e shtruara para tyre në ndonjë festë të organizuar nga jobesimtarë, nëse kishin qenë apo jo pjesë e flijimeve që i bëheshin idhujve, por ishin të lirë të hanin pa bërë pyetje. Në kapitullin e njëmbëdhjetë, ai jep udhëzime për zakonin e tyre në adhurim publik, i qorton për çrregullimet e tyre të rënda dhe parregullsitë skandaloze në marrjen e darkës së Zotit dhe i paralajmëron ata solemnisht kundër abuzimit me këtë ceremoni kaq të shenjtë. Në kapitullin e dymbëdhjetë, ai fillon të merret me dhuratat frymërore që ishin derdhur me bollëk në këtë kishë, për të cilat ata nuk ishin pak të ngazëllyer. Në këtë kapitull, ai u thotë atyre se të gjitha erdhën po nga i njëjti burim dhe të gjitha drejtoheshin në të njëjtin qëllim. Ato dolën nga një Frymë dhe janë synuar për të mirën e kishës dhe do të ishte abuzim nëse nuk do t’i shërbenin këtij qëllimi. Nga fundi i letrës, ai i informon se ato ishin
me të vërtetë dhunti të çmuara por se ai i rekomandonte atyre diçka shumë më të vyer, për të cilën ai shpërthen në kapitullin e trembëdhjetë në lëvdimin dhe karakteristikat e dashurisë. Më pas, në kapitullin e katërmbëdhjetë ai i udhëzon se si të ruajnë mirësjelljen dhe rregullin në 6 kishë, gjatë përdorimit të dhuratave të tyre frymërore, në të cilat duket se ata kishin qenë tejet të çrregullt, prej krenarisë për dhuratat e marra dhe kotësisë së të shfaqurit të tyre me mburrje. Kapitulli i pesëmbëdhjetë trajton konfirmimin dhe shpjegimin e doktrinës së madhe të ringjalljes. Ndërsa kapitulli i fundit jep disa këshilla të veçanta dhe përshëndetje, dhe me këto përmbyllet kjo letër.

File Type: www
Categories: Komentari i Biblës 'Matthew Henry'
Downloads: 6
E-mail
Password
Confirm Password